Shqiptarëve të Luginës nuk i njihen diplomat që merren në Kosovë
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët kanë studiuar në Universitetin e Prishtinës po ballafaqohen me problemin e nostrifikimit të diplomave nga shteti serb, shkruan Koha Ditore.Për këtë çështje ishin arritur marrëveshje në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, por që ajo si edhe shumë të tjera nuk po gjejnë zbatim.
Në vitin 2011 ishte arritur marrëveshja për njohjen e diplomave universitare mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq në shtator të 2015-s, të dy vendet kishin arritur marrëveshje për njohjen reciproke të diplomave në të gjitha nivelet e arsimit. E më 2016-n, delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë ishin pajtuar për zbatimin e saj.
Pala kosovare pati njoftuar se Bashkimi Evropian ka përcaktuar mekanizmin ndërkombëtar si certifikues i diplomave universitare në të gjitha nivelet që janë lëshuar nga të dy shtetet dhe se diplomat do të mbanin logon e BE-së. Por, sipas përfaqësuesve të Luginës së Preshevës këto marrëveshje të arritura në Bruksel asnjëherë nuk kanë nisur së zbatuari.