Sheshi i Bujanocit sonte i takoi myslimanëve (foto)
Për herë të parë në sheshin e qytetit të Bujanocit shtrohet iftar në shenjë solidarizimi me besimtarët mysliman të kësaj komune dhe më gjerë.
Një organizim për të pasur zili, i cili mblodhi mbi 500 agjërues në një vend, shqiptarë e romë.
Sipas organizatorëve shtrimi i një darke të tillë është mundësuar nga qytetarët e Bujanocit të cilët kanë biznese private por edhe qytetarë të tjerë, përfshirë edhe nga jeta publike që e kanë pa të rrugës një vepër si kjo në këtë muaj të Ramazanit.
Naser Sulejmani, njëri prej iniciatorëve të këtij iftari, përshëndeti të pranishmit të cilët i falënderoi për pjesëmarrje, përderisa prezantoi edhe mysafirin nga Shipashnica e Kosovës, Idriz Dermakun.
Hoxhë Dermaku qysh në fillim falënderoi organizatorët për shtruarjen e këtij iftari madhështor. Ai me këtë rast shpjegoi ajete Kuranore si dhe mori shembuj nga hadithet e profetit Muhamed.
Me këtë rast hoxha porositi se ky iftar “duhet të shërbejë për të bashkuar myslimanët”, raporton Titulli.
Mirëpo, si duket iftari i organizuar nuk i ka pëlqyer edhe zyrtarëve komunal, të cilët, sipas organizatorëve kanë qenë të ftuar të jenë pjesëmarrës në këtë iftar mes vëllezërve.
Një fushatë kundër iftarit të sotëm, gjatë javës që e lamë pas, ishte ndërmarrë nga personat në pushtet që bartin pozita drejtuese, përderisa ajo sot kulmoi me postimin e shefit të kabinetit të kryetarit të Komunës së Bujanocit-Nagip Arifi, Arbër Pajazitit, ku me ironi në profilin e tij ka vendosur statusin “Iftar Party”.
Të pyetur nga Titulli lidhur me postime të tilla nga zyrtarë shqiptar-mysliman që drejtojnë me komunën e Bujanocit, organizatorët mbetën të habitur.
“Nuk kemi pritur se edhe iftaret që organizohen do të politizohen në këtë mënyrë. Kjo është shumë e ulët nga ana e Pajazitit”, thekson njëri nga organizatorët i cili ndihmonte në ndarjen ushqimit për agjëruesit.
Me këtë rast organizatorët falënderuan për pjesëmarrje në iftar të gjithë qytetarët, ndërsa një falënderim i veçantë iu dedikua edhe vullnetarëve të cilët shërbyen të pranishmit me ushqim.
Iftarin e sotëm e nderoi me pjesëmarrje edhe deputeti në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi si dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Galip Beqiri./Titulli.com/