Sali Salihi: Komuna e Bujanocit po fsheh vendime të rëndësishme për qytetarët (video)
Në konferencën e mbajtur sot për media, kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Bujanoc, Sali Salihi shpalosi shqetësimet dhe vërejtjet e rinisë për udhëheqjen e politikave për të rinj në komunë nga ana e pushtetit lokal.Temat të cilat u shtjelluan në këtë konferencë ishin gjendja e të rinjve shqiptarë në Bujanoc, mosfunksionimi i zyrës për të rinj, dështimet në implementimin e programit të aftësimit profesional, mungesa e transparencës dhe llogaridhënies nga pushteti aktual, si dhe rreth organizimit të ditës së komunës.
'' Vitin e kaluar aftësimin profesional e kanë kryer edhe njerëz të moshës mbi 60 vjeç'', theksoi mes tjerash Salihi, shkruna Titulli.com.
Rinia e Partisë Demokratike gjithashtu shpreh brengën për keq implementimin e aftësimit profesional, ku sipas tij pushteti nuk e ka qëllim aftësimin e të rinjve por po i llogarit ata vetëm si votues potencial të tyre.
“Ndër rastet të cilat i kemi veçuar është fakti që një inxhinier i gjeodezisë në vend se të mbajë praktikën në drejtoratin për Investime, ku do të mund ta ushtronte profesionin e vet me sukses, ai nga pushteti është caktuar që praktikën ta mbajë në Shtëpinë e Kulturës? Cila është logjika e këtij veprimi? Si ka mundësi që Shtëpia e Kulturës e cila nuk e ka të paraparë një profil të tillë në sistematizimin e vendeve të punës të aftësojë një inxhinier? Kush është mentor i tij i cili do të përcjell punën e tij në këtë institucion? Cili do të jetë rezultati i arritur pas përfundimit të praktikës? Ky nuk është aftësim profesional, kjo është ndihmë sociale'', tha Salihi.
Gjithashtu, gjatë konferencës u shpalos edhe shqetësimi për transparencën e zbehtë të komunës së Bujanocit dhe fshehjen e vendimeve të rëndësishme për qytetarët.
Salihi potencoi edhe faktin se komuna po bënë ndarjen jo të drejtë të mjeteve për bujqësi dhe organizata joqeveritare, ku po bëhet favorizimi i organizatave të afërta me pushtetin, për t'i dëmtuar organizatat të cilat vërtetë e meritojnë të financohen./Titulli.com/