Rikthehen kolonat dhe pritjet e gjata në kufi me Serbinë
Në pikë-kalimin kufitar Merdar dhe Dheu i Bardhë në mes Kosovës dhe Serbisë përsëri janë krijuar kolona dhe pritje të gjata në dalje nga Kosova.
Departamenti i Policisë Kufitare edhe përkundër shtimit të personelit policor dhe aplikimit të punës së kontrollit kufitar të përshpejtuar, informon se përsëri në pikë-kalimin kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë, sot janë krijuar kolona me pritje të gjata në dalje të Republikës së Kosovës për Serbi, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Informacionet e ditës se sotme të orës 11:30 tregojnë se në Merdar në dalje kolona është e gjatë dhe pritja e cila zgjate rreth 4 orë.
Ndërsa në pikë-kalimin kufitar të Dheu i Bardhë për të kaluar kufirin nga Kosova për në Serbi sipas informatave të orës 11:30 pritjet janë rreth 1 orë .
Policia e Kosovës, me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata, njofton të gjithë qytetaret dhe njëherësh apelon tek të gjithë ata që mund të shfrytëzojnë pikë-kalime tjera kufitare ti shfrytëzojnë ato pasi nuk ka kolona dhe pritje të gjata, duke përfshirë edhe pikë kalimin-kufitar Mutivodë në drejtim të fshatit Keçekollë ku nuk ka pritje fare, përveç kohëzgjatjes normale prej 10-15 minutash.
Vlen të potencohet se nga ana e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës, puna është duke u zhvilluar normalisht me kapacitete dhe intensitet të shtuar, mirëpo kolonat-pritjet janë duke u shkaktuar si rezultat i fluksit të madh të automjeteve, procedurave që aplikohen gjatë plotësimit të dokumenteve-formularëve përkatës nga autoritetet serbe./Titulli.com/