PVD: Pushteti i Preshevës, si Millosheviqi kur përjashtoi mësimdhënësit (Foto)
Me pankartat “Na lini të qetë në punën tonë fisnike”, “Ne edukojmë breza, ju dhunoni ardhmërinë”, “Kryetar mos ma dhuno shkollën”, është zhvilluar protesta e paralajmëruar nga Partia për Veprim Demokratik.
Tubimi protestues i së hënës u mbajt para ndërtesës së Kuvendit Komunal të Preshevës, në kohën që në te po mbahej seanca e Asamblesë.
Kjo protestë, sipas PVD-së është nxitur nga momenti kur udhëheqësia komunale në mënyrë të “dhunshme, joligjore dhe destruktive” ka marrë iniciativë për t’i ndryshuar këshillat drejtuese dhe drejtorët në shkollën fillore “prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë dhe në shkollën fillore “Migjeni” në Caravajkë.
Përmes një kumtese të PVD-së të lëshuar pas protestës, ndër të tjera thuhet se “ky gjest i papërgjegjshëm i pushtetit lokal të Preshevës në krye me PDSH-në, po përsëritet për herë të parë pas vitit 1989, kur Millosheviqi i dhunoi shkollat shqipe dhe përjashtoi mësimdhënësit Shqiptarë”.
“Sot, me krenari faleminderojmë të gjithë ata që përkrahën protestën dhe peticionin në lidhje me problemet e arsimit, si reflektim ndaj gjendjes denigruese të arsimit shqip në Preshevë dhe treguan gatishmërinë për t’u bashkuar në mbrojtjen e shtyllës së rëndësishme kombëtare siç është arsimi shqip në Preshevë e gjithashtu në Luginë”, thuhet në kumtesën e forumit rinor të PVD-së në Preshevë.
Ky subjekt politik, njëherit njofton se gjatë pasditës së të hënës më shumë se 500 persona kanë përkrahur peticionin në lidhje me problemet arsimore që ka nisur me iniciativën e PVD-së, i cili do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
“Me këtë rast ftojmë gjithë prindërit, mësimdhënësit, shoqërinë civile dhe të gjithë banorët e komunës së Preshevës që të përkrahin këtë peticion, i cili do të adresojë problemet më të ndieshme të arsimit në gjuhën shqipe. Ju njoftojmë se në dy ditët e ardhshme vazhdon nënshkrimi i peticionit”, thuhet në kumtesë.
Forumi Rinorë i PVD -së beson se këto vendime të dhunshme të Kuvendit Komunal të Preshevës ndaj përfaqësuesve legjitim të prindërve dhe arsimtarëve të shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë dhe shkollës fillore “Migjeni” në Caravajkë do të ankimohen dhe se shkalla e dytë në ministri dë të bjen vendime konform ligjit për bazat e arsimit dhe edukimit. /Titulli.com/
Foto: PVD