Lokale
Përfaqësuesit e Ministrisë së Energjetikës vizitojnë Bujanocin, flasin për borxhe
Ndihmës Ministri i Energjetikës së Serbisë Hranisllav Stojkoviq gjatë qëndrimit të sotëm në Bujanoc ka kërkuar shlyerjen e borxhit i cili është krijuar gjatë mandatit të udhëheqësisë së kaluar.
Gjatë takimit që pati me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifin dhe kryetarin e Trupit Koordinues (TK) Zoran Stankoviq, ndihmës ministri i Stojkoviq në mes të tjerash bisedoi edhe për borxhin prej 10 milionë dinarësh që kjo komunë i ka mbet ministrisë në fjalë me projektin për mbrojtjen e ambientit.
“Këtu jemi sot për të përkrahur komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë për zgjidhjen e problemeve, siç është ai me deponitë, komunalive, pastrimin e ujërave të zeza dhe në përgjithësi me problemet që lidhen me mbrojtjen e ambientit”, është shprehur ndihmës ministri i energjetikës,Hranisllav Stojkoviq, i cili shtoi se për shkak të ngecjeve është krijuar një borxh prej rreth 10 milionë dinarë kundrejt Fondit për mbrojtjen e mjedisit.
“Është e vërtetë se kanë mbet pa u paguar dhjetëra milionë dinarë që kanë pas për dedikim zgjidhjen e problemit me grumbullimin e mbeturinave. Unë si përfaqësues i ministrisë kam premtuar shumë shpejt që ky rast të hyjë në procedurë për të paguar këtë borxh të mëhershëm”, është shprehur Stojkoviq.
Konfirmimin e këtij borxhi ndaj Fondit për mbrojtjen e mjedisit e ka bërë edhe kryetari i Komunës së Bujanocit.
“Në vitin e kaluar ka pasur disa kontrata të nënshkruara rreth sanimit të deponisë në Bujanoc, pagesat nuk janë bërë, ndërsa ne sot për herë të dytë dorëzuam dokumentacionin dhe shpresojmë se ministria përkatëse në një afat shumë të shkurtuar do të kryhet kjo procedurë, kurse pagesa për këtë dedikim ndaj punëkryesve do të bëhet nga komuna e Bujanocit”, u shpreh Nagip Arifi.
Kryetari i Trupit Koordinues Zoran Stankoviq me prurjen e përfaqësuesit të Ministrisë së Energjetikës në Bujanoc, tha se po përmbushim njërin prej premtimeve që kemi dhënë, që përgjegjësit nga ministritë përkatëse t’i sjellim në këto komuna.
“Sot jemi dakorduar për transferimin e deponive të mbeturinave në drejtim të Vranjës dhe presim që në periudhën që vie të sigurojmë mjete për të zgjidhur të gjitha problemet që janë në të këtë territor dhe se komuna e Bujanocit me projektet e finalizuar ka lehtësuar shumë realizimin e tyre për zgjidhjen e problemeve ekologjike”, është shprehur drejtuesi i TK-së.
Ish kryetari i Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi më 04 nëntor të vitit 2011, në zyrën e tij, patë nënshkruar me ministrin e Mjedisit dhe Planit Hapësinor të Serbisë, Oliver Dulliq, kontratat për ndarjen e mjeteve në zgjidhjen e problemit të Deponisë së Mbeturinave në Komunën e Bujanocit, mjete të cilat sipas kryetarit të tanishëm të kësaj komune, Nagip Arifit, nuk janë paguar./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!