PDSH promemorie për Zeqirja Fazliun
Zeqirja Fazliu, lindi në fshatin Zhunicë të Komunës së Preshevës, më 13 korrik 1940.Shkollimin fillor, ciklin e ulët katër vjeçar i kreu në Zhunicë, pjesën tjetër në Preshevë, ndërsa shkollën e mesme e kreu në normalen “Zef Lush Marku” në Shkup.
Punoi si mësues në fshatrat e Shkupit.
Fakultetin e Bilogjisë e kreu gjithashtu në Shkup për t’u kualifikuar si profesor i parë i bilogjisë nga Komuna e Preshevës. .
Si profesor i bilogjisë filloi punën nga viti 1965 në QAM “Skenderbeu” në Preshevë.
Në periudhën 1968-1974 ishte drejtor i Gjimnazit “Skenderbeu” si shkollë e mesme e përbashkët për Preshevë dhe Bujanoc, për të vazhduar si profesor i biologjisë deri më 1996 nga ku vazhdoi punën, si zv.kryetar i Kuvendit Komunal të Komunës Preshevë deri në vitin 2002.
Në vitin 1990 ju bashkua pluralizmit politik me çrast u radhit në Partinë Demokratike Shqiptare.
Gjatë vitit 1992 respektivisht në përgatitjet për mbajtjen e Referendumit të 1 dhe 2 marsit i ndjeri ishte pjesmarrës aktiv, duke qene pjesë e Kuvendit të Referendumit .
Më datë 03 shtator 1996 në Kuvendin e Partisë Demokratike Shqiptare z. Zeqirja Fazliu zgjedhet kryetar i subjektit politik, detyrë të cilën e kryen me përkushtim dhe shumë angazhim deri më 17 maj të vitit 2003.
Gjatë ushtrimit të funksionit të kryetarit të PDSH-së, dhe në cilësinë e zv.kryetarit të Kuvendit Komunal të Preshevës në periudhën e luftës së UÇPMB-së, ishte pjesë e ekipit politik deri në marrëveshjen përfundimtare të arritur në Konçul në maj të vitit 2001.
Në Kuvendin e katërt zgjedhor të PDSH-së mbajtur në vitin 2007, Zeqirja Fazliu shpallet kryetar nderi i Partisë, i cili vazhdimisht ishte pjesë e pandashme e punës së organit më të lartë të subjektit, kryesisë së partisë, ku idetë, këshillat dhe sygjerimet e tij i kishte me një mendësi të mprehtë.
Në vitin 2014 në Konferencën e organizuar në Preshevë nga Federata e Paqës Universale në Botë, z. Zeqirja Fazliu shpallet ambasador për paqe.
Profesor Zeqirja Fazliu do të mbahet mend si mësimdhënës i shkëlqyer i biologjisë, politikan i mirë dhe i vendosur për çështjen kombëtare shqiptare, qytetar i zellshëm, i ndershëm dhe i dashur mes miqëve, parasëgjithash do të kujtohet si intelektual i vlerë e i mençur. Por, do të kujtohet edhe si baba dhe gjysh i dashur dhe i paharruar përgjithmonë për familjen.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës Lindore dhe i përjetshëm kujtimi për të dashurin Zeqirja Fazliu!
Në Preshevë, 15.04.2018
Partia Demokratike Shqiptare