Në Prishtinë SBASHK-u priti delagcion nga komuna e Bujanocit
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka pritur në Prishtinë kryetarin e Kuvendit Komunal të Bujanocit Driton Rexhepi, Kryeshefin e shërbimeve publike, Kastriot Jakupi dhe Këshilltarin për arsim Agim Hasani.
Postimi i plotë në Facebook nga SBASHK-ut:
Takim vëllazëror në SBASHK
Në pasditen e 7 nëntorit, selinë e SBASHK-ut e kanë vizituar Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit z. Driton Rexhepi, Kryeshefi i shërbimeve publike, z. Kastriot Jakupi dhe Këshilltari për arsim i kësaj komune z. Agim Hasani. Ata janë pritur nga kryetari i SBASHK-ut, z. Rrahman Jasharaj, koordinatori për organizim të brendshëm, z. Ymer Ymeri dhe anëtarë të tjerë të stafit. Pjesë e këtij takimi ishte edhe veprimtari, z. Fehmi Berisha, i cili i gëzohet çdo suksesi të SBASHK-ut.
Ishte ky takim vëllazëror në të cilin kryetari Jasharaj është shprehur se ndjehet i nderuar me këtë vizitë të vëllezërve nga Bujanoci e pastaj u ka treguar për angazhimet e SBASHK-ut në shërbim të anëtarësisë, për sfidat dhe për arritjet e shumta. Koordinatori për organizim të brendshëm, z. Ymer Ymeri në fjalën e mirëseardhjes ka njoftuar mysafirët për angazhimet aktuale për t’u ndalur edhe te trajnimet. Ai ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim në sferën e arsimit me kolegët nga Bujanoci, Presheva e Medvegja.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, z. Driton Rexhepi ka falënderuar përfaqësuesit e SBASHK-ut për pritjen vëllazërore dhe ka vlerësuar lart angazhimin e sindikatës sonë në shërbim të anëtarësisë duke përmendur edhe shumë nga arritjet e SBASHK-ut.