Lokale
Ministri Agani premton mbështetjen për kandidatët e Luginës
Ministri i shëndetësisë i Republikës së Kosovës Feri Agani ka pritur të hënën në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar Galip Beqiri dhe deputetin shqiptar në parlamentin e Serbisë, Riza Halimin.
Në këtë takim Beqiri dhe Halimi i shprehën ministrit Agani falënderimet e strukturave dhe banorëve të Luginës së Preshevës për ndihmën që Ministria e Shëndetësisë së Kosovës u ka dhënë për specializim mjekëve dhe stomatologëve të kësaj ane, raporton TV Spektri.
Ministria e Shëndetësisë ka ndarë mjete prej 100 mijë eurove për vazhdimin e specializimit të 18 kandidatëve nga Lugina në degën e mjekësisë dhe stomatologjisë.
Delegacioni nga Lugina e njoftoi ministrin Agani me vështirësitë e banorëve të komunave shqiptare të Luginës, problemet me të cilat ballafaqohen ata dhe vështirësitë që kanë kandidatët e këtyre komunave të cilët duan të ndjekin specializimin dhe programe të shkollimit të vazhduar profesional.
Gjatë bisedës u theksua edhe nevoja e sensibilizimit edhe më shumë të çështjes së regjistrimit të studentëve nga Lugina e Preshevës në degë të ndryshme të Fakultetit të Mjekësisë dhe Universitetit të Prishtinës.
Sipas TV Spektrit ministri Agani ka shprehë gatishmërinë që Ministria e Shëndetësisë ta vazhdojë mbështetjen e kandidatëve nga Presheva për specializime në bazë të kërkesave që do të vinin nga autoritetet përgjegjëse të Luginës./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!