Lokale
"Mbrojtësit" e Luginës
Shkruan: Jeton Ismaili
Lufta për bajraktarizëm
Kur i sheh në fotografi apo në televizion të ngjajnë në një ekip futbolli. Që pamja të jetë më e bukur mjafton që gjysma e tyre të ulen poshtë dhe para vetes të kenë një top. Edhe këtë çështje ndoshta do ta zgjidhin lehtë po të mos ishte përzgjedhja e kapitenit të skuadrës.
E këtu plas sherri. Se kujt do t’i përkas shiriti i të parit të ekipit është një vendim që nuk merret dot dhe për të cilin nuk ka kompromis.
Ky në fakt është i ashtuquajturi grup i liderëve politik të Luginës. Lexuesit më të vegjël që akoma nuk kanë nuhatje për futboll ndoshta do ta pagëzonin grupi i aktorëve të filmave vizatimor. Dhe secili do të luante një rol pas një ushtrimi paraprak.
Njërit do t’i shkonte për shtati Miki-mausi, tjetrit Pink-panteri, atij tjetrit Pata, të katërtit Popaji… e kështu me radhë.
Këta janë të njejtit që “ mbrojtën “ laipdarin në Preshevë dhe me duar mbi gjenitale “ nderuan “ vendin e mbushur me lule e qirinj.
[caption id="attachment_53116" align="aligncenter" width="640"] Liderët në protestën e 21 janarit në Preshevë, pas heqjes së lapidarit të UÇPMB-së[/caption]
Të përçarë në pafundësi, të urryerr njëri me tjetrin në skajshmëri, të pasuruar me bagazhe xhelozie në maksimum, janë këta individë që e përfaqësojnë Luginën.
Atyre i bie rruga edhe në Beograd, edhe në Prishtinë e edhe në Tiranë. Në shumicën e rasteve bëjnë takime të ndara ku folin zi e më zi për njëri-tjetrin. Edhe kur janë të ftuar në takimin e njejtë, ata shkojnë ndaras. Edhe po të shkonin bashkë do të grindeshin se kush do ta ngiste autobusin i cili me shumë zorë do t’i kishte nxënë të gjithë.
Shkojnë e vijnë pa u takuar paraprakisht se çka do të bisedojnë dhe cilën tezë do ta parashtrojnë. E kur nisin takimet, njëri merr gjysmën e kohës duke dashur të thot diçka e për të mos thënë asgjë, tjetri duke u lavdëruar për të kaluarën “luftarake “,…
E kështu i harxhojnë minutat e parapara në takim pa shtruar asnjë çështje konkrete.
Talljet që bëhen për ta
Dhe posa përfundojnë takimet, nikoqirët jo rrallë herë tallen me ta. Bile njëri nga zyrtarët e lartë kosovarë me të përfunduar një takim me luginasit i kishte përshpëritur dikujt në vesh,: “ Çka kanë këta të gjorët që s’i krushqi vijnë këtu, qenkan dash t’i marrin me vete edhe kafshët shtëpiake “.
Por kjo nuk ndodh vetëm me takimet brendashqiptare. Ky grupacion aq i gjërë bëhet gaz i botës edhe në takimet me zyrtarët qeveritar në Beograd dhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë, kështu që shpesh ndodh që mos të ketë karrige për t’u ulur të gjithë.
Kur vie puna për të dhënë deklarata për media, ata shtyhen e shkilen kush të dalë i pari para kamerave dhe mikrofonëve.
Të këtillë janë pra ata që përfaqësojnë Luginën. Të shumtë në numër dhe secili më i “ngritur ” se tjetri.
Më shumë liderë sesa banorë
Bile një përfaqësues ndërkombëtarë kishte ironizuar njëherë me përbërjen e grupit të Luginës duke thënë se “ Lugina paska më tepër liderë sesa banorë “, patur parasysh faktin e bojkotit të regjistrimit të fundit të popullsisë.
[caption id="attachment_87794" align="aligncenter" width="640"] Takimi me ambasadorët e OSBE-së[/caption]
Shpeshherë liderët e Luginës dinë të jenë edhe shumë euforik. Pas takimit me ministren e shëndetësisë, Slavica Gjukiq Dejanoviq, ata fluturuan nga gëzimi duke pandehur se tashmë konkretisht nisi zgjidhja e problemeve.
Në këtë takim, ministren e kishte pritur tërë ekipi i “ futbollit “ në vend se të formoheshin nëngrupet e caktuara për secilën sferë. Kështu i bie se “ skuadra “ e famshme di të bisedojë me Beogradin në përbërjen e njejtë për të gjitha çështjet, pa kyçjen e ekspertëve të lëmive adekuate.
Me këtë fakt, liderët e Luginës do të bëhen “ shembull “ i botës se janë të “ aftë “ të bisedojnë edhe për siguri, edhe për ekonomi, edhe për shëndetësi, edhe për arsim, edhe për kanalizim, edhe për bërdhog, dhe se nuk kanë nevojë për nëngrupe punuese me përbërje ekspertësh.
Kjo dukuri momentale u shkon për shtati Qeverisë serbe dhe Trupit Kordinues të cilët do të vazhdojnë me talljen dhe shakatë në adresë të delegacionit të Luginës.
Vet kryeministri, Ivica Daçiq, aq shumë kishte luajtur tashak gjatë takimit me ta saqë ishte relaksuar pa masë. Relaks ditor takimi me liderët e Luginës është edhe për Hashim Thaçin, Hajredin Kuçin e Ramush Haradinajn. Këtë madje e kanë konfirmuar shumë burime brenda stafeve të tyre.
A ekziston një zgjidhje ?
Edhe për daljen nga kjo situatë ka rrugë të thjeshta, vetëm se ato duhet ndjekur.
Në vend se komuna e Preshevës të përfaqësohet vetëm nga një udhëheqës, atë tani e bëjnë tre, Ragmi Mustafa, Skender Destani dhe Ramiz Latifi. Meqë janë në koalicion qeverisës lokal atëherë shtrohet pyetja se çfarë kërkojnë që të tre në takime. Nëse kihet parasysh forca e votës, atëherë shumë lehtë vihet në përfundim se mjafton që vetëm kryetari aktual i komunës, Ragmi Mustafa të jetë pjesë e ekipit negociues.
Ngjashëm është edhe me Bujanocin. Edhe këtu ekziston koalicioni qeverisës PD-LPD. Bazuar në fitimin e votave do të mjaftonte që kryetari i komunës, Nagip Arifi, të ishte pjesë e bisedimeve, e jo si deri më tash që komuna të përfaqësohet nga dy prijës institucional.
[caption id="attachment_94755" align="aligncenter" width="640"] Takimi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi[/caption]
Për momentin PVD ka tre përfaqësues në të ashtuquajturin ekip të liderëve, Riza Halimin, Galip Beqirin dhe Shaip Kamberin. Nëse këtij blloku i’a shtojmë edhe përbërjen e koalicionit qeverisës në Këshillin Nacional, UDSH-në në krye me Rahmi Zylfiun, atëherë i bie se kjo vijë politike po përfaqësohet nga katër individë. Çka është e tëpërt është e tepërt. Edhe këtë bllok do të mjaftonte ta përfaqësonte vetëm një prijës politik.
[caption id="attachment_94756" align="aligncenter" width="620"] Takimi me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq ( shihet gjysma e delegacionit )[/caption]
Si rezultat i këtyre kombinimeve, duke pasur parasysh forcën e votës dhe koalicionet ekzistuese, vihet në përfundim se Lugina në bisedimet me Beogradin zyrtar me shumë komoditet do të mund të përfaqësohej me tre individë, Ragmi Mustafën, Nagip Arifin dhe përfaqësuesin e koalicionit PVD-UDSH.
Me një përbërje të tillë nuk do të bëheshim pjesë e talljeve dhe as e ironizimeve qoftë kombëtare, shtetërore apo ndërkombëtare.
Natyrisht se kjo do të ishte pjesa e ngushtë e Grupit Negociator e cila do të shërbente për takime me kryeministra, ambasadorë, diplomat tjerë ndërkombëtarë, etj.
Kurse, kur bisedohet për zgjidhjen konkrete të problemeve me ministritë përkatëse, atëherë medoemos atyre do duhej bashkangjitur edhe Grupet e Ekspertëve.
Përafërsisht kështu do dukej një nivel përfaqësimi i shqiptarëve të Luginës me çka do të na lakmonin dhe to të na qanin hallin të gjithë. Përkundrazi, përfaqësimi i deritanishëm “ kallabllëk “ na le të zhytur në një ekip futbolli të rangut të ulët, në një seri filmash vizatimorë të demoduar dhe në një autobus me karriga druri ku të dhemb prapanica dhe ku vie era e vjelljes së udhëtarëve.
( Autori është drejtor i Rtv Spektri në Bujanoc dhe kryetar i Asociacionit të Mediave të Pavarura të Luginës –AMPL )
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!