Luginë: 2017-a me sfida reale për realizimin e premtimeve
Viti që lamë pas prodhoi ngjarje të shumta, sidomos në rrafshin e politikës lokale në Luginë, të cilat pastaj përfunduan me ndryshime në qeverisje. Fryma e këtyre ndryshimeve përfshiu dy komunat me shumicë shqiptare. Presheva e Bujanoci nga prilli i vitit që lamë pas kanë ndryshuar konfiguracionin qeverisës, pasi që pushtetmbajtësit e gjeratëhershëm tanimë janë opozitë e pazëshme.Shkruar nga: Fatlum Q Hetemi-Preshevë;
Mirëpo, ky ndryshim i ofertuar te qytetarët me alternativa për ndryshim e shpëtim, tani në vitin që kemi filluar do të ketë sfida reale. Edhe ndryshimi, edhe shpëtimi të shumëtheksuara gjatë fushatës, efektin e parë dhe substancial patjetër duhet ta kenë në këtë vit. Në rast se efekti për ndryshim dhe shpëtim mbetet vetëm brenda kornizave premtuese, atëherë vazhdimësia e të njëjtit realitet i bie që ka ndryshuar vetëm fytyrën.
Bashkërendimi i politikave qeverisëse mbi parimet e promovuar në fushatë, është i domosdoshëm nga partnerët në koalicion. Po që se veprimi i këtyre është ndaras dhe gara për t’i marrë meritat për ndonjë punë është monedhë e vetme, sigurisht që, përmirësimin e qeverisjes si në Preshevë, si në Bujanoc e bën të pamundur.
Dhe, fatkeqësisht, shpeshherë, deklaratat, veprimet dhe ngarendja për t’i marrë meritat na shpien drejt asaj se, brenda të njëjtës qeverisje, kemi dualitet pushtetesh partiake e personale.
Në qoftë se kjo është praktikë e kësaj kaste qeverisëse që, aq fort e promovuan sjelljen e mentalitetit ndryshe, atëherë mundësia e ndryshimeve reale ka rrezik të shtyhet për një periudhe tjetër. E, kjo, është e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë Luginës, sepse, realisht, largimi i rinisë mbetet e vetmja alternativë për ndryshim e shpëtim.
Andaj, gjatë këtij viti problemet e shfaqura me shumë të drejtë gjatë fushatës duhet patjetër të drejtohen drejt zgjidhjes. Serioziteti dhe bashkërendimi janë domosdoshmëri e kohës, e cila s’lejon gabime në hapa.
Sikundërqë, konsruktiviteti opozitar dhe aktivizimi i tyre edhe përtej kalkulimeve personale është i domosdoshëm. Madje, opozita si në Preshevë, si në Bujanoc duhet të jetë zëri më i fuqishëm ndaj qeverisjes, sepse kritikat e mosrealizimit (në fakt edhe s’i kanë realizuar) të premtimeve që janë bërë nga partitë sot në pushtet, janë arsyeja që ata sot i kanë lënë në opozitë.
Kritikat dhe daljet në konferenca duhet t’u shërbejnë problemeve që kanë qytetarët dhe keqqeverisjes, e jo të bëhet promovimi personal i figurave që veprimin konkret në politikë e kanë konsumuar më shumë për vete, sesa për qytetarët.
Pra, fundviti i këtij viti nuk do të jetë aq i lehtë për bilanc. Kurse, llogaridhënia herë do kurdo është e pashmangshme!
Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin domosdoshmërish edhe mendimin e Portalit Informativ-TITULLI