Lokale
LPD: Xhandarmëria në Bujanoc, provokim ndër më të rëndit
Edhe LPD me seli në Bujanoc ka reaguar për situatën e krijuar në komunën e Bujanocit, në dy vendbanimet shqiptare.
"Lëvizja e Progresit Demokratik, me shqetësim po e përcjellë gjendjen politike dhe të sigurisë në Komunën e Bujanocit, e cila sa vjen e bëhet më e brishtë, me përmasa të keqësimit të mëtejmë", kështu fillon reagimi i partisë opozitare e cila udhëhiqet nga Jonuz Musliu, ish shef politik i UÇPMB-së.
"Kjo gjendje bëhet më shqetësuese kur forcat serbe të sigurisë, përkatësisht ato të xhandarmërisë dhe ushtrisë, këto ditë, po punojnë duke u grumbulluar, mbi fshatin Nesalcë e Lluçan të Komunës së Bujanocit, përskaj rrugës e cila të shpie në drejtim të Dobrosinit, zonës kufitare Serbi-Kosovë", thotë reagimi i LPD-së.
LPD këto veprime të militarizimit të vazhdueshëm të Komunës së Bujanocit, i konsideron të dëmshme, imituese dhe provokuese, të cilat pikërisht vijnë në momentet e bisedimeve Thaçi-Daçiq, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe manifestimeve mbarëkombëtare me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
"Koncetrimi i forcave serbe te sigurisë mbi vendbanimet shqiptare, përgjatë vijës kufitare me Kosovë, karshi bazës ushtarake të Cepotinit e cila nga Bujanoci, vëzhgon Korridorin 10, paraqet një nga provokimet më të rënda, që nga periudha e proceseve luftarake ne këtë rajon. Ky veprim i forcave serbe shton pasigurinë te shqiptarët e kësaj komune e cila është shndërruar në një karantinë e poligon forcash të armatosura serbe", thotë me tëj ky subjekt politik shqiptar.
Sipas LPD-së, këto dukuri bien në kundërshtim me marrëveshjet e arritura për çmilitarizimin e rajonit, ashtu siç ka kundërshtuar iniciativën e pushtetit multietnik në Bujanoc, për ndërtimin e një kompleksi banesor për refugjatët serbë nga Kosova, e cila ka për qëllim ndryshimin e hartës demografike, në dëm të shqiptarëve etnikë.
Lëvizja e Progresit Demokratik, apelon te faktorët relevantë shqiptarë dhe ndërkombëtarë të ngrejnë një shqetësim të tillë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në shkallë rajoni, pikërisht në kohën e fillimit të bisedimeve politike dhe teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, në të cilat bisedime serbët e Kosovës do të përfaqësohen me dy delegacione, kurse një gjë e tillë u mohohet shqiptarëve të këtij rajoni, deri dje të përfshirë në flakët e luftës./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!