Lokale
LPD: Asnjë këshilltarë nuk kalon në koalicionin qeverisës
Lëvizja e Progresit Demokratik ka reaguar pas deklarimeve të zyrtarëve të Partisë Demokratike se kësaj qeverisje do ti bashkohen edhe këshilltarë nga radhët e saj.
Ky subjekt opozitar që ka fituar 6 ulëse në Kuvendin Komunal të Bujanocit as që mendon për tu bërë pjesë qeverisëse, dhe se nuk i lejon shantazhet, obstrukcionet dhe siç thotë marifetllëqet me këshilltarët opozitarët, për të cilët ka kush të jap llogari dhe përgjegjësi.
“Partia në pushtet, PD-ja me një përvojë gati dyvjeçare, vet i ka begenisur partnerët koalicionit dhe disa herë ka deklaruar se ka stabilitet në Kuvend, prandaj nga ky shqetësim po angazhohet për të shkëputur ndonjë këshilltar nga opozita, duke llogaritur herë te LPD-ja, herë te UDSH-ja e herë te dy këshilltarët e mbetur serbë jashtë koalicionit aktual”, thuhet në reagimin e këtij subjekti të arritur në adresën elektronike të Titullit.
Reagimi i nënshkruar nga Jonuz Musliu thotë se “ia ka bë të qartë koalicionit qeverisës se nuk ka lëkundje në radhët e këtij subjekti politik dhe se çdo përpjekje që bëhet për të futur sherr dhe paqartësi te opozita është e kot, naive dhe cinike”.
Ky subjekt i tretë për nga forca me këshilltarë shqiptarë në Bujanoc, në reagim thotë se së bashku me partnerët opozitarë i kanë vënë për mision vetes, të angazhohen që edhe nga ky pozicion të kontribuojnë për të mirën e qytetarëve shqiptarë, në realizimin e kërkesave të tyre legjitime.
Mirëpo, sipas tyre nëse i pengojnë kritikat e opozitës, atëherë pushteti lokal duhet të mësohet me rregullat e lojës për ndryshime pushtetare, kur paraqiten ngërçet politike dhe kolapset ekonomike.
Ditë më parë kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi deklaroi në televizionin Spektri se është duke zhvilluar bisedime me zyrtarë të Lëvizjes së Progresit Demokratik, por jo vetëm me ata, që la të nënkuptojë se bisedime për zgjerim të koalicionit po bëhen edhe me subjekte tjera shqiptare./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!