Kosova duhet ta marrë të gjithë Luginën e Preshevës dhe jo vetëm Preshevën
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë se në rast se arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për shkëmbim territoresh, atëherë Kosova duhet ta marrë të gjithë Luginën e Preshevës dhe jo vetëm Preshevën.“Qëndrimi jonë është që të mos ketë copëtim, nuk është opsion që vetëm Presheva t’i bashkohet Republikës së Kosovës. Nëse shkëmbimi i territoreve vihet në diskutim në dialogun e Brukselit, atëherë e gjithë Lugina e Preshevës duhet të përfshihet”, ka thënë Kamberi për gazetarët para një takimi me grupin koordinues për Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë, raporton express, marrë nga agjencia serbe e lajmeve Tanjug.
Ideja e shkëmbimit të territoreve nuk ka gjetur fare mbështetje në Republikën e Kosovës, madje kryeministri Haradinaj ka thënë se një gjë e tillë është thirrje për luftë.
Ndryshe sot, këshilltari i Trump-it, John Bolton, ka thënë se SHBA-së nuk i takon të ndërhyjë në çështjet e brendshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur këtu edhe idenë e lëvizjes së kufijve.