Halimi: Qeveritë serbe me arrogancë po shkelin të drejtat elementare të shqiptarëve
Lokale

Halimi: Qeveritë serbe me arrogancë po shkelin të drejtat elementare të shqiptarëve

01.Sep.2014 13:56
0
Në ditën e fillimit të vitit të ri shkollor, deputeti popullor dhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) Riza Halimi ka reaguar me rastin e fillimit të këtij viti në mungesë të kushteve për zhvillim të procesit arsimor.

Në një deklaratë të shkruar për media Halimi nënvizon se për përgjegjësia e drejtpërdrejtë për vazhdimin e kësaj gjendje diskriminuese të shkollave në gjuhën shqipe bie mbi qeverinë e Serbisë, përkatësisht mbi ministrinë e saj të arsimit, por edhe mbi Trupin koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

“Duke shfrytëzuar dobësitë serioze, përçarjet dhe parcializimin e skajshëm të spektrit politik në Luginë të Preshevës si dhe mungesën e përkrahjes adekuate të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, qeveritë serbe në vazhdimësi po arrijnë me komoditet madje edhe me arrogancë t’i shkelin të drejtat elementare të Shqiptarëve madje edhe në fazën kur si kandidat për anëtarësim në Unionin Evropian janë duke u përgatitur për hapjen e 35 kaptinave të paraqitura nga Brukseli”, shkruan deputeti Halimi.

Ai me këtë rast vizitën e ministrit të arsimit  të Serbisë, Sërgjan Verbiq e quan spektakël, pasi sipas kryetarit të PVD-së “nuk është në promovim të ndonjë përmirësimi të gjendjes shumë të vështirë në shkollat shqipe, por është tentim perfid për të amortizuar, së paku karshi faktorit ndërkombëtarë, gafet e kryeministrit Vuçiq i cili fillimisht kushtëzoi sigurimin e teksteve mësimore për nxënësit Shqiptarë me pagesën e rrymës elektrike”./Titulli.com/

*********************************************************************************************************************************************************************

DEKLARATË E KRYETARIT TË PVD – së

Mjerisht edhe ky vit shkollorë në shkollat në gjuhën shqipe po fillon pa tekste mësimore për shumicën dërmuese të teksteve mësimore dhe pa kushte elementare për zhvillimin e procesit mësimorë.

Është shumë e qartë se përgjegjësia e drejtpërdrejtë për vazhdimin e kësaj gjendje diskriminuese të shkollave në gjuhën shqipe bie mbi qeverinë e Serbisë, përkatësisht mbi ministrinë e saj të arsimit, por edhe mbi Trupin koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, i cili kishte marrë obligim për t’a realizuar programin qeveritar të vitit 2001 për zgjidhjen e krizës në Luginë të Preshevës.

Duke shfrytëzuar dobësitë serioze, përçarjet dhe parcializimin e skajshëm të spektrit politik në Luginë të Preshevës si dhe mungesën e përkrahjes adekuate të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, qeveritë serbe në vazhdimësi po arrijnë me komoditet madje edhe me arrogancë t’i shkelin të drejtat elementare të Shqiptarëve madje edhe në fazën kur si kandidat për anëtarësim në Unionin Evropian janë duke u përgaditur për hapjen e 35 kaptinave të paraqitura nga Brukseli.

Në kuadër të farsës së njohur politike qeveria e Serbisë po vazhdon të trumbetojë se Shqiptarët në Serbi nuk kanë asnjë problem pos që ata nuk dojnë t’i realizojnë të drejtat që Serbia i garanton atyre me Kushtetutën dhe ligjet e saja të bazuara në Konventat ndërkombëtare.

Në kuadër të këtyre lojërave të pakufi të qeverisë serbe në ditën e parë të vitit të ri shkollorë, spektaklit medial shumëvjeçar të kryetarëve të Trupit koordinues me kryetarët e komunave të Preshevës dhe Bujanocit i ndajnë çanta të zbrazta shkollore nxënësve Shqiptarë, do t’i bashkangjitet kësaj rradhe edhe ministri i arsimit Verbiq. Mirëpo kjo vizitë e ministrit të arsimit në Luginë të Preshevës nuk është në funksion të promovimit të ndonjë përmirësimi të gjendjes shumë të vështirë në shkollat shqipe, por është tentim perfid për të amortizuar, së paku karshi faktorit ndërkombëtarë, gafet e kryeministrit Vuçiq i cili fillimisht kushtëzoi sigurimin e teksteve mësimore për nxënësit Shqiptarë me pagesën e rrymës elektrike, e mandej pa asnjë mbulesë dha premtime boshe se do ta zgjidhë këtë problem shumëvjeçar brenda disa ditëve!

Kështuqë edhe pas këtij spektakli krejtësisht të tejdukshëm të ministrit Verbiq, realiteti i vrazhdë në Luginë të Preshevës do të mbetet i pa ndryshuar. Edhe në këtë vit shkollorë në shkollat fillore do të mungojnë rreth gjysma e teksteve dhe doracakëve mësimorë. Gjersa në shkollat serbe të gjitha tekstet e katër klasëve të para janë siguruar falas, në shkollat shqipe falas janë të siguruara vetëm libër leximi për klasën e dytë, të tretë dhe të katërt, tekstet e gjuhës serbe si gjuhë joamtare dhe teksti i lëndës “Bota rreth nesh” për klasën e parë dhe të dytë.

Andaj edhe është krejtësisht e arsyeshme situata në Luginë të Preshevës, ku në vend të përgëzimeve për vitin e ri shkollorë imponohen protestat si formë e rrezistencës kundër diskriminimit shtetërorë që në forma perfide po e zbaton edhe qeveria aktuale serbe. Mirëpo, është e papranueshme që udhëheqësitë e pushteteve lokale në Preshevë e Bujanoc, edhe pse u takuan me përfaqësues të Këshillit Nacional të Shqiptarëve nuk pranuan që vendimi për protestë me të cilën iu drejtuan shkollave në gjuhën shqipe të jetë në emër të pushteteve lokale dhe Këshillit Nacional të Shqiptarëve, që do të kishte peshë dhe efekt shumë më të madh se ftesa që u bë në emër të subjekteve politike.

Sigurisht që ka rëndësi që arsimtarët dhe prindërit nëpër shkolla t’a shprehin pakënaqësinë e tyre me të gjitha format e parapara me ligj kundër këtij diskriminimi, sikur është me rëndësi që deputetët, Këshilli Nacional dhe pushtetet lokale t’i shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet e tyre institucionale. Ndërsa vetëm subjektet politike me anëtarësinë dhe simpatizantët e tyre janë ato që me protesta dhe të gjitha format e luftës politike duhet të angazhohen në mënyrë shumë më intenzive për realizimin e të drejtave legjitime të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

PVD si çdo herë gjer më tani është gatshme që pa taktizime dhe lojëra të dyfishta, të vazhdojë luftën e përbashkët politike të Shqiptarëve që në periudhën vijuese do të jetë në kushte shumë më të vështira dhe delikatë, andaj dhe kërkon angazhim të nivelit shumë më të lartë politik se ky që aktualisht e kemi.

Në fund uroj që edhe në këto kushte jashtëzakonisht të vështira nxënësit dhe arsimtarët të gjejnë forcë për arritjen e rezultateve sa më të mira. 

 

Kryetari i PVD – së
Riza HALIMI
Ministri i Arsimit ndan libra në Bujanoc, nxënësit dhe KDNJ protestojnë (foto & video)
VV, solidarizim me protestat për shkollat shqipe në Luginën e Preshevës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration