Vështrime
Fondi i shpërlarjes së parave
Dy qeveritë shqiptare takohen më 11 janar në Prizren. Pjesë e këtyre bisedimeve do të jetë e akordimi i një Fondi për Luginën e Preshevës. Një iniciativë është e qëlluar dhe për tu përshëndetur, por përcaktimi i destinacionit të parakohshëm të këtij Fondi, nuk është i arsyeshëm dhe parimor.
Shkruan: Kujtim Sadriu
Pushtetet lokale, në rajonin e Luginës së Preshevës, janë pjesë të buxhetit republikan të Serbisë. Ato subvencionohen nga shteti dhe për projektet kapitale siç është infrastruktura, ngritja e objekteve shkollore, madje edhe spitalore janë obligim i shtetit, për të cilat qytetarët paguajnë taksa dhe mbushin arkën shtetërore.
Fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës, nuk duhet të orientohet për projekte të tilla, të cilat janë në kompetencë të komunave dhe Qeverisë së Serbisë.
Materniteti në Preshevë, i cili po proklamohet se do të jetë pjesë e këtij Fondi, ka filluar dhe është në fazën përfundimtare nga paratë e siguruara nga Trupi Koordinues i Beogradit, nga Komuna e Preshevës dhe organizatat ndërkombëtare.
Prandaj, çdo përpjekje që këto mjetet e Fondit të derdhen për këtë projekt, apo për ndërtimin e ndonjë shkolle janë të pakuptimta dhe manipuluese në emër të shpërlarjes së parave.
Lugina e Preshevës ka nevojë për një Fond zhvillimor, ku do të hapeshin vende të reja pune, të zbutet varfëria ekonomike dhe të nxiten veprimtaritë me interes shoqëror e kombëtar.
Para së gjithash autoritete shqiptare duhet të formojnë një bord menaxhues me këtë Fond, nga i cili do të shpalleshin konkurse për projekte, të cilat përparësi duhej të jepeshin shoqërisë civile e jo institucione dhe Këshillit Nacional, që administrohen nga Beogradi.
Vetëm në këtë mënyrë ky Fond do të jetë i përqafuar nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, përndryshe krijimi i tij do të sjell më shumë sherr se sa dobi.
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!