Lokale
"Flamurin do ta vendosim në godinën e KKSH-së"
Flamuri Kuq e Zi do të vendoset sërish në godinën e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Bujanoc
Kryetari i KKSH-së Galip Beqiri ka deklaruar se në objektin e këtij organi shtetëror do të valojë sërish flamuri edhe pse është hequr nga persona deri më tani të paidentifikuar.
“Mendoj se flamuri e ka vendin aty dhe ne së shpejti prapë do ta vendosim flamurin në ndërtesën e Këshillit Kombëtar Shqiptar,” ka thënë Beqiri, raporton Titulli.
Ai ka shpjeguar se flamuri kombëtar në ballkonin e KKSH-së qëndron që nga 28 nëntori i viti të kaluar, ndërsa heqjen e tij e kanë vërejtur sot në mëngjes.
“Ky gjest është i pahijshëm pasi në mënyrë tinxare është hequr flamuri. Deri më tani s’kemi pas vërejtje prej asnjë organi se a duhet të hiqet flamuri apo jo, me përjashtim të OSBE-së”, është shprehur Beqiri.
Sipas kryetarit të KKSH-së në këto momente shqetësimi është edhe më i madh pasi sot filluan bisedimet për një dialog të mirëfilltë mes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe Beogradit me qëllim që t’i përmirësojnë kushtet e jetesës dhe të drejtat e tyre, ndërsa në anën tjetër po ndodh një gjest i pahijshëm nga persona të paidentifikuar.
Beqiri shpreson që policia do ta marrë me përgjegjësi këtë punë dhe do t’i zbulojë akterët ./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!