Fillon procesi i librave shqip për Luginën nga Marrëveshja e Nishit, Rama-Vuçiq
Me ftesë të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka, është mbajtur takimi parë mes përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Republikës së Serbisë, Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Këshillit Kombëtar Shqiptarë dhe përfaqësuesit Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në ambientet e kësaj Ambasade.Temë diskutimi i këtij takimi ishte sigurimi i teksteve shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës sipas Marëveshjes së Nishit ndërmjet kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe homologut të tij serbë Aleksandër Vuçiq.
Gjatë këtij takimi u dakordua që të formohen Grupet e ekspertëve si nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Republikës së Serbisë ashtu edhe nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë për të i zhvilluar procedurat e nevojshme për të realizuar marrëveshjen e lartëpërmendur, në këtë mënyrë edhe për të i siguruar edhe tekstet shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës./Titulli.com/