Vështrime
Ethet parazgjedhore ose dëshira për të qenë i pari
Ecejaket e lidershipit shqiptarë të Luginës, jo më pak se 14-të, sa në Tiranë e sa në Prishtinë të përkujton vitet e nëntëdhjeta, kur i ndjeri Dr. Fehmi Agani përpiqej të unifikonte faktorin politik shqiptarë të kësaj ane, e që shkonin kot, sepse secili nga liderët e atëhershëm i komentonin ndryshe qëndrimet e tij, secili sipas dëshirës, ashtu si i duhej atij.
[caption id="attachment_95843" align="alignleft" width="128"] Shkruan: Fatlum Hetemi[/caption]
Edhe pse atëherë kishim më pak “liderë” të kombit, dy parti e një shoqatë, nuk arrinin të merreshin vesh njëra me tjetrën. E si të merreshin vesh, kur njëra-tjetrën e akuzonin se ishin pro-Serbisë. Ishin njëra më patriotike sepse kishte raporte të mira me Rugovën e tjetra me Qosjen. Që të dyja me qëndrimet e veta çonin ujë në mulli të tjetërkujt dhe kështu na sollën në një qorrsokak pa krye.
Po sot, pas 24 vjeç çfarë po ndodh? Partitë politike janë shtuar, me këtë edhe liderë apo liderucët, si i quan profesori nderuar Nehat Hyseni. Kush do të jetë në krye ose kush do të jetë më patriotë duke artikuluar me zë fjalë e shprehje bombastike patriotike. Kush do të jetë më patriotë? A ka ndryshuar diçka këtu në Luginë pas kaq vjetësh? Të dilet apo të mos dilet në zgjedhje? A do ta dëgjojnë liderët e Luginës porosinë e Tiranës e Prishtinës?
Këto dilema janë edhe sot aktuale. Kanë kaluar shumë vjet, nëpër shumë kriza ka kaluar populli i kësaj ane i cili dukshëm është pakuar, sepse shumë të rinj janë larguar nga vendlindja nga paperspektiva për një ardhmëri më të lumtur e më të begatë. Zhvillimi ekonomik i kësaj treve ka ngecur aty ku ka qenë para dy dekadave e bile edhe më keq. Asnjëri nga këta politikanë nuk ka menduar për fatin dhe mirëqenien e kësaj popullate, por kanë shikuar si të pasurohen vet dhe të afërmit e tyre.
Dhe në vend se të merren me zgjidhjen e problemeve të shumta që e preokupojnë popullin e Luginës, ata vrapojnë pas posteve dhe përfitimeve politike. Në vend se të vendosin drejt dhe të eliminojnë ndasitë ata bëjnë përçarje dhe mashtrojnë popullin. Ngjiten në kurriz të popullit e keqpërdorin verdiktin e tij. Kanë formuar parti të mëhallës dhe e shpallin veten lider me vota dyshifrore.
Zgjedhjet parlamentare të parakohshme kanë vënë përsëri në lëvizje këta “liderë” dhe ata si zakonisht do të ndahen në dy tabore, pro dhe kundër zgjedhjeve. Secili do të flasë në emër të popullit dhe patriotizmit. Secili do të mundohet ta bindë votuesin për të drejtën e vet. Populli do ta ketë vështirë të vendosë. Kah do që të shkojë do të jetë shpalle tradhtarë, sepse ai ekziston vetëm pse ekzistojnë liderët, po të mos ishin liderët populli nuk do të ekzistonte, prandaj rrofshin tradhtarët.
Nga ngjarjet që po zhvillohen duket qartë se asgjë nuk ka ndryshuar këtu në Luginë. Ndarjet ndërpartiake janë të pranishme dhe shumë të theksuara. Nuk kanë ndryshuar as edhe liderët, të njëjtit pothuaj, por vetëm me subjekte të veta. Kanë grumbulluar disa nga të afërmit e tyre, pjesëtarë të familjes apo mëhallës dhe kanë formuar parti, prandaj janë 14-të apo 15-të, sepse këtij kori të çakorduar politik iu shtua edhe një shoqatë e afaristëve, prandaj edhe ata janë faktorë për të vendosur për këtë popull të gjorë. Vaj halli për popullin. Edhe sa parti do mund të krijoheshin për të krijuar liderë? Askush s’e di dhe askush nuk garanton për këtë. Nuk i dihet.
Zgjedhjet! Prapë zgjedhjet, ç`bela që na ka gjetur? Të dalim apo të mos dalim? Disa thonë të dalim, domosdo të dalim, sepse zëri jonë duhet të dëgjohet në parlament e disa thonë të mos dilet, sepse zëri jonë dëgjohet edhe nga këtu. Arsyetim i mirë, por sa qesharak aq edhe banal për njërën palë, kurse pala tjetër konsideron se ata që dalin janë tradhtarë të gjakut të tyre edhe kjo qesharake dhe po aq banale. Po s’ka rëndësi është populli ai që e pëson.
Dhe kështu “liderët” shkojnë në Tiranë për ta bindur atë se nuk bën ose bën të dilet në zgjedhje dhe secili fjalët e saj i komenton ashtu si duhen. Shkojnë edhe në Prishtinë. E njëjta gjë. Vështirë e kanë me “liderët” tanë edhe Tirana, edhe Prishtina, por më vështirë e kemi ne, populli.
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!