Drithërimë e lirisë e alfabetit shqip"¦
Shqyrtime letrare (Dhe s'munda ta takoja të bardhën, të zezat kishin vënë hendeqe"¦) Bilall Maliqi:"Drithërimë", poemë, botuar në Bukuresht, 2015 "Tek pi duhan, mes tymit flas menduar, sikur me shekuj rron një fis i marrë, përjetësisht në urrejtje i bashkuar, çuditërisht në dashuri i ndarë!" D. AgolliShkruan: Riza GREIÇEVCI;
Bilall Maliqi tashmë është emër i njohur dhe njëri nga poetët e sotëm preshevar më prodhimtar dhe i dëshmuar me mbi njëzet vepra letrare. Puna e përkushtuar në rrafshin e artit letrar, ka bërë që ky poet deri me tash të përkthehet në gjuhën italishte, anglishte, dhe sot kjo vepër e zotit Bilalli është përkthyer në gjuhën rumune, në përkujdesjen e Baki Ymerit, një dashamirë i letrave shqipe, që jeton e punon në Rumani, por që ka dëshmuar një përkushtim të veçan për të afirmuar vlerat shpirtërore e letrare të krijuesve nga Republika e Kosovës, për çka janë dshmitarë një numër i madh veprash letrare të përzgjedhura e të përkthyera në gjuhën rumune, si urë lidhëse shpirtërore e letrare të dy popujve të dy shteteve, të Kosovës dhe të Rumanisë.
“A TË FALI JETA TJETËR , POS KAFSHIMIT, O ROD KAFSHIMI!”
Se cili është mesazhi parësor i vargjeve të librit më të ri poemë “Drithërimë” të Bilall Maliqit, mbase lexuesi shpejt e kupton sapo ta lexojë titullin e këtij libri gjithsesi interesant, për t’iu qasur vargjeve të kësaj poeme, e cila, me gjethe e trup e kurorë shpalos ditë e javë e muaj e vjet e shekuj të mugët, që kanë kafshuar lëkurën e mishin e zemrën e jetën e lirinë e indentitetin dardan në troje të Shqipërisë etnike. Më pastaj, lexuesi ngarend nëpër vargje të kësaj peome, dhe po të mos ishin shpresa, bashkimi, gjuha, alfabeti shqip, djepi, sofra, buka, se një ditë kjo pjesë e atdheut Arbër do të shpëtojë nga kafshimi vdekjeprurës i bishës së çakërdisur serbosllave, që shekuj me radhë thithi gjakun e çnderoi dhe vazhdon ta çnderojë alfabetin shqip, librin shqip, jetën shqip, identitetin shqip të popullates së ndarë, të gjakut e djepit e identitetit puro dardan. Vargjet poetike të pomes “Drithërimë” na vijëzohen para syve si një abetare me alfabetin shqip të Kongresit të Manastirit, si një abetare me shkronja shqip
Udha e të cilave deri të vendlindja e poetit ende është me terr, prandaj, zëri i poetit për të mos e vra tjetër (boll ma!) alfabetin e një populli, shkronjat dhe gjuhën e një populli, për të mos e vrarë dëshirën dhe të drejtën për një jetë të lirë, për një shkollë të lirë, për një mësim e alphabet shqip, mbase është shkalla më humane dhe njerëzore e një poeti shqiptar. Sepse, poeti bën me dije Zotin,
shtatë pale qiell e shtatë palë tokë,bën me dije botën demokratike:
“Dhe s’munda ta takoja të bardhën, të zezat kishin vënë hendeqe… vaj medet! Ato po shtohen përditë! Si mbështjellës të bardhësisë, Si tëhollues të dashurisë”!. E fill pas këtij realiteti të zymtë, gjithsesi me plot drithërime, s’ka si të mos derdh lot syri, s’ka si të mos mbushen gjëmë shpirti, zemra…S’ka si të mos ngre zërin kryengritës poeti, me vargje poetike të shprehë mospajtimin e tij deri në vdekje, bile-bile,pse jo, të kërkojë ndryshimin e realitetit të hidhur e me plot drithërime: “Mos kafsho, mos kafsho përtej durimit mos, bre, hej! O krijesë trishtuese: A të mësoi gjë tjetër jeta jote, pos kafshimit, o rod kafshimi! Mos kafsho shpirtin zemrën e alfabetit shqip! Mos mi kafsho shkronjat shqipe, flamurin kuqezi! Mos fëlliq dheun virgjër dardan o bishë e çakërdisur! Heu, e hëngërsh kryet tat…!”.
“ ZHVATËSI ÇDO DITË NDËRRON LËKURË, PORSI SHLLIGA RRËNOJAVE TË KULLËS…”
Vargjet e poemës “Drithërimë” lexuesin kureshtar e shëtisin gjithandej shtëpi me shtëpi të Luginës së Preshevës, odë me odë të Luginës së Preshevës, Kuvend me Kuvend të djemve e burrave të këtij trolli të Hashanisë së lashtë, lozë e Shqipërisë etnike, dhe njeh brezat e sotëm, edhe të nesërm, se “Perandorë të ndryshëm na dënuan, Në litarë të vdekjes na i luhatën shkronjat shqipe, E shekulli si në ëndërr, ia hoqi nga qafa litarin etnisë!”. Por, mjerisht, as me lumin e lotëve, as me mallkime, as me fyerje e urrejtje, jo, jo, sepse,
“Xixë shprese në fund të tunelit, Vrimë e mjegulluar brenda sy”, prandaj asgjë e re, asgjë më shumë, se sa “Në prehrin e tokës së robëruar, hijet këndojnë ninulla shpëtimi”, dhe, mjerisht, ende vetëm kaq, mirë e jo bash mirë, keq, tepër keq, ani pse, diku në horizont të qiellit të Shpresës “Një xixë shprese futet në kornizë!”. Po, po, ende, mirë e jo edhe aq mirë: “Zhvatësi çdo ditë ndërron lëkurë, porsi shlliga rrënojave të kullës…”Në këtë gjullurdi ninëzash të hidhura, të mugëta, në gjithë detin e drithërimeve që sikur s’ka fund, prapëseprapë, poeti Bilalli, vargjet e poemës së tij i stis e veshë menjë dritë në shandan me Shpresën e Mirë, e ndofta edhe me bindje, pse jo:” Tirani kur u rrëzua, Shekulli ngrehu dolli. Atëbotë humbja shpalli fitoren. Prej atëherë e deri më sot, Sa kohë ranë, Shumë fytyra pa maska u panë!”. Shi n nga këtu, vargjet në poemën “Drithërimë” herë-herë shkundin dhe shkërmoqin pakënaqësi, habi, mosdurimin e poetit Bilalli,që brezi i tij heraheras më shumë sorollatet në lakmi pasurie e jete të pasur, e rrallë, ose ndofta edhe tepër rrallë brezi pikëpjeket në gjirmën e bashkimit, nga duhesh nisur për në krenari e sakrificë, për lavdi e kënaqësi nga Lugina e Preshevës, Shqipëri, Iliridë, Çamëri! Poeti me laps e vargje poetike shëtit gjitnadej Luginës së Preshevës, tek e ka edhe ai djepin e ninulla e rritën e bukën e ajrin e diellin, mirëpo, mirë e jo bash mirë, keq, qe besa s’ka ku shkon më keq: Pak sy sy me sy! Pak fytyra fytyrë për fytyrë! Pak zemra zemër për zemër! Pak betim e besë lidhur gisht për gisht! Dhe poeti ka të drejtë të tregojë të vërtetën, sepse, borxh ia ka nderit e gjakut e pragut
stërgjyshor, e thotë zëshëm: “Dhe s’munda ta takoja të bardhën, të zezat kishin vënë hendeqe…Vaj medet! Ato po shtohen përditë!”
Po, po, pena e vargjet e poetit kanë drithërime, fajtorë: Çarjet! Përçarjet! Hilet e kilet! Ndërskamcat! Sherret! Hasmëritë! Urrejtjet! E, po të mos ishin gjallë këto paçavure, sot do të festohej shekulli i Fitores mbi të Keqen, dhe sot e mot do të jetonin e vepronin bashkë me ne: abetarja shqip, alfabeti shqip, kënga dhe libri shqip, flamuri dykrenorë, tek atëherë, gjarprit rreth e rreth tokës së Luginës së Preshevës, Bujanocës, Medvegjës, do t’i kishte rënë plasja! Do ta kishin shtatë pash thellë në tokë! Epo, t’i besojmë të madhit Agolli: “Tek pi duhan mes tymit flas menduar,
Sikur me shekuj rron një fis i marrë, Përjetësisht në urrejtje i bashkuar, Çuditërisht në dashuri i ndarë!”.
TRIDHJETË E GJASHTË SHKRONJA TË ALFABETIT SHQIP
LIDHUR NË NJË TRUNG ME EMRIN: LIRI!
Interesant, për të bërë me dije botën demokratike, popujt e vegjël e të mëdhenj, qiellin dhe deri në thellësi të dheut mbi shpinë të kaut të zi, se asgjë më e pasur, asgjë më e shkëlqimtare, asgjë më
florinjtë, asgjë më e shenjtë, asgjë më humane njerëzore për krijesën e njeriut s’është se sa Alfabeti, se sa shkronjat, Abetarja!
Po, sepse, aty ku s’ka liri, s’ka as Abetare, as alfabet, as libër, as dije, as këngë, as dashuri, as paqe! Ky është zë i një poeti, Bilall Maliqi, që shkrihet si sheqeri në ujë në secilin varg të poemës “Drithërimë”, i përkthyer në gjuhën rumanishte, për të formua një kurorë me tridhjetë e gjashtë lule, me tridhjetë e gjatë pika gjaku, me një armatë nënshkrime të burrave të kombit në Kongresin e Manastirit, me tridhjetë e gjashtë porosi dërguar Zotit, Atdheut, Tokës e Qiellit, për të nderuar amanetin e legjendës së UÇK-së, burrit e gjakut të Oso Kukës: “Më mirë po vdes unë se sa me vdekur Kosova!” – Adem JASHARI. Prandaj, mesazhi i vargjeve të poemës “Drrithërimë” na bën kureshtar brezave sot e mot: Liri s’u takon atyre që presin me shekuj dikush tjetër me ua sjell lirinë në pjatë! Lirinë asnjë populli s’ia fali pushtuesi, shkelësi, kriminelët, thika, plumbi, zjarri…Liria s’bëhet hise e atyre që përpiqen me ia rrjepur lëkurën, me ia pi gjakun, me ia shkel nderin, me ia shemb shkëlqimin,e me hëngër me asht e lëkurë. Liria nuk është e atyre që ia rrëmbejnë popullit nga goja kafshatën e bukës, votën, lumturinë, krenarinë kombëtare. Liria nuk është e atyre që në kohë përparimi, ndërtimi, demokracie, në kohë skamjeje, papunësie atë e përgjakin, e gjuajnë me gurë, poshtërojnë, përgojojnë, urrejnë bijat e bijtë e popullit, që kanë rrugor pushkën çlirimtare dhe janë rënë dëshmorë për të! Po, po, liria u takon atyre që e fitojnë, atyre që digjen për një rrezedielli… Gjithsesi, e them me plot gojë, kjo vepër, poemë,e poetit preshevar Bilall Maliqi me shumëçka shënon një avancim cilësor, si në rrafshin artistik letrar, si në rrafshin e të shkruarit poezi, por në anën tjetër, ka një ngritje të hetueshme gjuhësore, imagjinative, vargu i shkurtër e i gdhendur me mjeshtri artitistike, për çka autorit i urojmë shëndet, suksese, penës së tij pjellshmëri poetike.