Bujanoc: Vendimet e kuvendit komunal nuk publikohen të plota (VIDEO)
Kuvendi komunal i komunës së Bujanocit numëron 41 këshilltarë të cilët paguhen nga buxheti në vlerë neto prej 16 mijë dinarë në muaj ndërsa transparenca mbetet ende fushë që duhet punuar shumë më tepër se ajo që prezantohet.Përfaqësuesit e institucionit vendimmarrës lokal mendojnë se transparenca në organin që ata udhëheqin është në nivel të duhur ndërsa organizatat për vlerësimin e rangimit kanë shkruar se është larg nivelit të duhur.
Basri Veseli zëvendëskryetar i kuvendit komunal të Bujanocit tha për Titulli.com se niveli i transparencës është mjaft i kënaqshëm në respektimin e dy gjuhësisë dhe informimit.
“Mendoj se transparenca është në nivel të duhur sa i përket informimit dhe zhvillimit të seancave. Përcillet çdo seancë nga mediat lokale, prandaj për gjithçka është njoftuar qytetari i komunës së Bujanocit”, deklaroi Veseli.
Ndërsa sekretari i kuvendit komunal, Selami Mustafa u shpreh se seancat janë publike dhe çdo qytetarët mundë të marrë pjesë e të përcjellë punimet.
“Publikimi i akteve bëhet përmes gazetës zyrtare komunës së Bujanocit të cilën e kemi që nga viti 2013. Presim që në të ardhmen e afërt të gjitha vendimet, aktet dhe buxheti të publikohen në webfaqen zyrtare (www.bujanovac.rs) të komunës së Bujanocit”, deklaroi Mustafa.
Organizata “Transparenca Serbisë” në vlerësimin e fundit komunë e Bujanocit e ka ranguar në vendin 47 të njëjtin vend sikur në vitin 2015 ndërsa notë më të dobëta ka marrë në kategorinë e prokurimeve publike.
Boban Pavloviq, ndihmës i kryetarit të komunës për çështje financiare theksoi se qytetarët janë të njoftuar për buxhetin e komunës së Bujanocit dhe shpenzimet e tyre varësisht sa kanë ata interes.
“Për vitin 2017 janë të planifikuar 24 milion e 817 mijë dinarë për funksionimin e kuvendit komunal, pagesat e këshilltarëve e grupeve punues të ndryshme që formon kuvendi. Të gjitha projektet realizohen përmes prokurimeve publike si në vlerë të vogël dhe të madhe.”, u shpreh Pavloviq.
Për këshilltarin, Ragmi Mustafa kuvendi komunal është i hapur për kërkesa të ndryshme të qytetarëve.
“Çdo kërkesë e qytetarëve trajtohet me kujdes dhe në kohën e përcaktuar me ligj sa i përket informacionit të rëndësie të ndryshme që janë në kuadër të institucioneve të komunës së Bujanocit”, deklaroi Mustafa.
Sipas të dhënave nga shërbimi i financave pranë administratës komunale, kuvendi komunal ka shpenzuar 609.719 dinarë nga 1 Janari deri në fund të muajit Shtator.
Në webfaqen zyrtare të komunës (www.bujanovac.rs) përveç publikimit të rendit të ditës të mbajtjes së seancave të kuvendit komunal qytetarët nuk kanë qasje në vendimet që merren, listën e këshilltarëve për komunikim me qytetarët, mungon lista e komisioneve, aktet juridike, lista e gazetës zyrtare, transkriptua e proces verbalit./Titulli.com/