Vështrime
“Bonus” dialogu…
Bashkimi Evropian, ka planifikuar edhe një raund bisedimesh mes Prishtinës dhe Beogradit. Kjo ofertë “bonus” e dialogut i jep sinjale të qarta Beogradit, të nënshkruaj marrëveshjen për të hequr dorë, një herë dhe përgjithmonë, nga Veriu i Kosovës.
Shkruan: Drilon Hyseni
Ky është raundi i 9-të i bisedimeve të Brukselit dhe mbase i fundit, ngase e ka epitetin “bonus” dhe perëndimorët janë lodhur me mentalitetin e mbrapshtë ballkanik të stilit “tërhiq e mos këput”!
Baronesha Catherine Ashton, e pikëlluar nga këto fizkultura politike, ka kërkuar ndihmën e katër kryeqendrave të BE-së: Berlini, Parisi, Londra dhe Roma, që të kyçen në “diplomacinë fluturuese”, për t’i dhënë fund këtij procesi, që mos të kthehet sërish dialogu në pikën “zero”!.
Ferri
Kush e ka lexuar Komedinë Hyjnore të Dante Aligerit dhe 9 rrathët e tij, s’ka se si të mos ndërlidhet me 9 rrathët e bisedimeve Prishtinë-Beograd në Bruksel.
Poeti, shkrimtari dhe politikani italian Dante, në këtë vepër prestigjioze ka përshkruar udhëtimin fantastik nëpër tri mbretëritë e përjetshme: Ferri, Purgatori dhe Parajsa.
Teoria filozofike e 9 rrathëve të “Ferrit” të Dantes, na ndihmon ta kuptoj shoqëria jonë filozofinë e jetës politike.
Në jetën shoqërore, njerëzit është e pamundur të mos kalojnë nëpër rrathët e këtij “Ferri”. Edhe 9 raundet e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, preken nga pak nga filozofia teorike e kësaj Komedie Hyjnore.
Rrethi i 9-të i Ferrit të Dante Aligerit lidhet me “Tradhtinë”, ashtu siç lidhet raundi i 9 i bisedimeve me “Marrëveshjen” e nënshkruar nga kryeministrat e dy vendeve në konflikt.
Një pjesë e politikës serbe, do ta akuzoj kryeministrin Daçiq, për “tradhti” nëse e nënshkruan “Marrëveshjen” e cila i jep fund strukturave paralele të Veriut të Kosovës dhe normalizon marrëdhëniet Prishtinë-Beograd. Po ashtu nuk do t’i shpëtoj “tradhtisë” as kryeministri Thaçi, të cilin disa qarqe shqiptare do t’ia veshin nëse, ai, e nënshkruan Marrëveshjen, duke lënë Luginë e Preshevës jashtë kufijve të saj shtetëror.
Thaçi e Daçiq, po qe se e përqafojnë “tradhtinë” për t’i dhënë fund këtyre rrathëve të sikletshëm të bisedimeve pa fund, dënimi do të kthehet në shpërblim me një çmim të lartë që bota e njeh me epitetin “Nobel për paqe”.
Parajsa
Kalimi nga mbretëria e “Ferrit” në mbretërinë e “Parajsës”, bëhet me nënshkrimin e “Marrëveshjes”, për t’i hapur rrugë integrimeve evropiane, përparimit dhe zhvillimit të dy shteteve, të cilat janë ngopur me të këqijat, që u ka sjell lufta, dhuna dhe terrori.
“Marrëveshja” e paqes mes dy popujve, të cilët e kanë fatin e përbashkët të jetojnë njëri pranë tjetrit, është një hap pozitiv drejt normalizimit të raporteve Prishtinë-Beograd dhe rrugëtimit drejt proceseve euroatlantike.
Prishtina për dallim nga Beogradi, në këto 9 rrathët e bisedimeve është treguar më e matur dhe më e pjekur politikisht. Kjo urtësi e Prishtinës, në këtë proces dialogues, tregon kulturën e lartë të popullit shqiptar, i cili ka ditur të falë, por edhe të triumfoj qoftë në luftë, qoftë në paqe.
Perëndimorët janë të befasuar nga sjelljet gjentelmene të Prishtinës, duke e ditur se nëpër çfarë periudha të vështira ka kaluar populli shqiptar, veçmas ato të luftës së fundit, të kryera nga ish regjimi diktatorial i Milloshviqit.
Beogradi është mësuar me humbje, të cilat jo rrallë i ka manifestuar me trimëri, guxim e patriotizëm. Bashkimi Evropian është ngopur me këto lëvizje të demoduara e antiqytetëruese, të cilat nuk i sjellin vendit, progres dhe perspektivë të shëndoshë evropiane.
Pavarësisht nda këto dallime të deritashme Brukseli, kësaj radhe po angazhohet sinqerisht për t’i bindur palët në procesin e dialogut ta nënshkruajnë Marrëveshjen, për të siguruar një të nesërme me perspektivë për popujt e tyre.
Purgatori
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, nuk duhet të ndihen si në mbretërinë e Purgatorit të “Ferrit” të Dantes. Ata kanë vepruar gjatë historisë, duke dhënë shembujt trimërie e bujarie për vëllezërit në Kosovë dhe asnjëherë nuk janë ndarë të koritur në rrugën e realizimi të aspiratave kombëtare.
Prishtina dhe Beogradi janë shumë të kujdesshëm kur është në pyetje Lugina e Preshevës, të njëjtën ndjesi e kanë edhe ndërkombëtarët. Koha është duke punuar për Luginën e Preshevës, e cila duhet të shpërblehet për rrugën e drejtë të realizimit të kërkesave të saj me rrugë institucionale, rrugë të cilën janë të shtrënguar ta përqafojnë serbët e veriut të Kosovës pas 15 vjetësh rebelimi, afera rrugësh e mosbindje qytetare.
Rruga institucionale, është çelësi i zgjidhjes së problemeve, të cilën rrugë e mbështesin ndërkombëtarët dhe nuk ka tjetër alternative.
Java e ardhshme na tregon se si to të rrjedhin gjërat në të ardhmen, duke pritur “Marrëveshjen”!
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!