BE me program për mbështetje komunave, Bujanoci prioritet në vitin 2018
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrici gjatë takimit me kryetarin e komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi vlerësoi se është i përkushtuar për proceset e ndryshme politik dhe të zhvillimit në të ardhmen.“Dialogu është i rëndësishëm për të çuar procesin përpara dhe ti inkurajoi që të punohet në këtë aspekt. Kemi diskutuar për të arriturat dhe Bashkimi Evropian vlerëson se sa shumë e rëndësishme është respektimi i të drejtave dhe integrimit të minoriteteve”, deklaroi Fabrici.
Sipas tij edhe realizimi i planit shtatë-pikësh është i rëndësishëm për Bashkimin Evropian.
“Ndava me kryetarin bisedat edhe vëmendjen e madhe që Bashkimi Evropian ka për këtë rajon rreth proceseve të ndryshme politike dhe se sa e rëndësishme është zbatimi i shtatë pikëshit dhe vazhdimi i implementimit të tij”, u shpreh mes tjerash Fabrici, shkruan Titulli.com.
Ndërsa kryetari i komunës, Shaip Kamberi tha se me Ambasadorin Fabrici diskutuan për çështjet politike në Luginë të Preshevës dhe për mundësin që Bashkimi Evropian përmes projekteve i jep komunave.
“E rëndësishme është ajo se e ndamë mendimin e njëjtë për implementimin e programit shtatë pikësh në mënyrë që të avancohen të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon dhe se delegacioni i Bashkimit Evropian do të jetë i përkushtuar që ta diskutoj këtë çështje në Beograd për të rinisur një dialog me përfaqësues shqiptarë”, theksoi Kamberi.
Kamberi u shpreh se delegacioni i Bashkimit Evropian në vitin 2018 do të filloj me një program të ri të ndihmës me mjete pa kthim komunave.
“Kjo është një mundësi e mirë për komunën tonë duke pasur parasysh suksesin e treguar si komunë për projektet e më hershme do të kemi mundësi për projekte të reja”, deklaroi Kamberi.
Sipas tij është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të përkrah të gjitha kërkesat politike të cilat kanë të bëjnë me integrimin e shqiptarëve në institucionet publike shtetërore me standardet që detyrohet Serbia në rrugën drejt BE-së.
Vizita e Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrici ishte e para në këtë rajon i cili fillimisht qëndroi në Vrajë pastaj në komunën e Bujanocit./Titulli.com/