Lokale
Asfalti nga Llojani mbërrin në kufi, kufiri mbetet i mbyllur me Preshevën
Banorët shqiptar të fshatit Llojan në anën e Maqedonisë, pas shumë vitesh bëhen me rrugë të asfaltuar në drejtim të fshatit Miratoc të komunës së Preshevës, në Serbi. Kufiri mbetet i mbyllur për banorët shqiptarë që jetojnë në Serbi dhe ata në Maqedoni.
Llojanasit sot i janë gëzuar rrugës së asfaltuar përderisa gëzimi më i madh për ta do të ishte sikur do të mund të kalonin kufirin përmes kësaj pike kufitare që ndanë një popull në dy shtete.
Asfaltimin e rrugës nga Llojani i Maqedonisë deri në kufirin me Serbinë, për Titullin e konfirmoi edhe kryetari i Bashkësisë Lokale të Miratocës, Shezai Shaqiri, fshatë ky që kufizohet me Llojanin.
Tani kur rruga është asfaltuar duhet të pritet edhe hapja e saj. Zyrtarët e qeverisë së Serbisë janë shprehur të gatshëm që hapjen e kufirit ta bëjnë gjatë këtij viti, përderisa në këtë drejtim nuk ka asnjë sinjal nga pala Maqedonase.
“Në lidhje me kufirin ne kemi biseduar me përfaqësuesit e ambasadës së Maqedonisë, po ashtu kryeministri Ivica Daçiç ka biseduar edhe me homologun e tij Nikola Gruevski. Edhe bashkësia ndërkombëtare e cila është e kyçur në realizimin kësaj marrëveshje ka kërkuar që sa më shpejt të hapet kjo pikë kufitare. Ne jemi gati dhe presim që pala Maqedone të mbaroj punimet”, ka thënë në qershor të vitit të kaluar, kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq.
Ai ka theksuar se kufiri mund të jetë gati në fillim ose në mes të vitit 2014.
“Ne shpresojmë që kjo pikë kufitare të hapet gjatë vitit 2014 dhe të mundësohet qarkullimi për fshatrat të cilat kufizohet përmes kësaj rruge”.
Në vitin 2005 dy qeveritë respektive kishin marrë obligimet që të hapnin kufirin Miratoc – Llojan por tash e 9 vite asgjë nuk ka lëvizur në këtë drejtim.
[caption id="attachment_114961" align="aligncenter" width="640"] Rruga e sapo asfaltuar Llopjan-kufiri me Serbine[/caption]
Vlen theksuar se në pjesën e Serbisë, përmes fshatit Miratoc, rruga që çon drejt kufirit me Maqedoninë është asfaltuar në korrik të vitit 2013-të.
Nga ana tjetër pika kufitare Miratoc – Llojan tashmë është shndërruar në problem politik, pasi pala serbe dhe maqedone ka hapur shumë pika kufitare, sidomos në Krivo Pallank, ku kufizohen dy fshatra njëri serb dhe tjetri maqedon dhe tërë kjo ishte bërë për shkak të 8 nxënësve që vijonin mësimet në anën tjetër të kufirit.
Nga ana tjetër për këto vendbanime shqiptare në Serbi dhe Maqedoni ende nuk ka një kufi të dytë kalimi, përveç atij në Tabanoc./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!