Aplikacioni kinez trazon garën për inteligjencën artificiale
Shkencë dhe teknologji

Aplikacioni kinez trazon garën për inteligjencën artificiale

06.Feb.2025 09:03
0

Një kompani e vogël kineze trazoi këtë javë mbarë sektorin e teknologjisë me njoftimin se ka prodhuar një sistem cilësor të inteligjencës artificiale me më pak fuqi kompjuterike dhe kosto shumë më të ulët se ajo e kompanive të mëdha amerikane. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn.

 

Deri më tani, kompanitë e mëdha amerikane kanë udhëhequr në garën globale për krijimin e sistemit më të avancuar të inteligjencës artificiale. Ato mbështeten tek qendrat gjigante të të dhënave dhe mikroqarqet më të fundit. Dhe ata thonë se kanë nevojë për më shumë para - për të paguar për më shumë energji dhe mikroqarqe më të fuqishëm.

Tani hyn në skenë kompania DeepSeek.

Kompania e re kineze ka krijuar një sistem të inteligjencës artificiale që përputhet me rezultatet e atyre të prodhuara në Shtetet e Bashkuara.

Por DeepSeek thotë se krahasuar me kompanitë amerikane, ajo shpenzoi shumë më pak para dhe përdori më pak fuqi kompjuterike për të prodhuar sistemin e saj.

Pasojat e këtij njoftimi u ndjenë nga të gjitha kompanitë amerikane të teknologjisë. Aplikacioni i kompanisë kineze DeepSeek u ngjit në vendin e parë në klasifikimin e aplikacioneve të kompanisë Apple. Çmimet e aksioneve të firmave të teknologjisë amerikane ranë. Dhe kjo u vu re edhe në Uashington, ndërsa Shtetet e Bashkuara gjenden në një garë të ashpër me Kinën për inteligjencën artificiale.

"Prezantimi i inteligjencës artificiale nga kompania kineze DeepSeek duhet të jetë një thirrje alarmi për industritë tona, se duhet të jemi të përqendruar maksimalisht për të konkurruar për të fituar", tha Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kontrolle të ashpra të eksportit për të ndaluar hyrjen në Kinë të mikroqarqeve të nivelit më të lartë. Kompania DeepSeek pretendon se puna në kushtet e kufizimeve, e ndihmoi të gjente zgjidhje më të lira.

“Është një risi me kosto të ulët dhe kursimtare, që është shumë më e shpejtë dhe shumë më pak e kushtueshme. Si e tillë, ka potencialin për të zënë vend shumë më gjerë”, thotë profesori Olaf Groth, nga Universiteti i Kalifornisë në Berkeley.

Arritja e kompanisë kineze DeepSeek u ndje ndër kompanitë amerikane të teknologjisë edhe në një aspekt tjetër – fakti që mbështetet në teknologjinë me burim të hapur, e cila shpërndahet dhe përdoret nga programuesit nëpër firma dhe vende të ndryshme.

Kjo është një përqasje e ndryshme nga ajo e kompanive të mëdha të inteligjencës artificiale, siç është OpenAI, Microsoft dhe Google, të cilat e mbajnë sekret punën e tyre.

Por dy vite më parë, Meta, kompania mëmë e platformës Facebook, publikoi kodin për programin e saj për inteligjencën artificiale, Llama, në mënyrë që të përdoret edhe nga palë të tjera.

Kompania kineze DeepSeek përdori programin Llama për të trajnuar modelet e saj të inteligjencës artificiale dhe më pas e bëri të disponueshme teknologjinë e saj për komunitetin që punon me materialet me burime të hapura.

“Komuniteti që punon me burimet e hapura beson me forcë se burimi i hapur është një mënyrë shumë e nevojshme, sepse demokratizon, si të thuash, krijimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale me kosto më të ulëta”, thotë profesori Groth.

Disa vëzhgues thonë se futja në garë e kompanisë kineze DeepSeek vë në pikëpyetje efektivitetin e politikave të deritanishme amerikane për inteligjencën artificiale. Presidenti Donald Trump ka thënë se do ta bëjë inteligjencën artificiale një përparësi./VOA/

Vuçiq s'arrin të gjejë gjuhë të përbashkët me studentët
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration