Akademia e Shkencave të Kosovës me projekte hulumtuese shkencore për Luginën e Preshevës Arsim Ejupi, PhD Professor assistant
Lokale

Akademia e Shkencave të Kosovës me projekte hulumtuese shkencore për Luginën e Preshevës

18.Feb.2017 20:32
0
Në janar të vitit 2017 Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës nxorri në dritë botimin me titull "NATYRA E LUGINËS SË PRESHEVËS "“ struktura, determinantet dhe resurset natyrore" të autorit Dr. Arsim Ejupi, profesor në Departamentin e Gjeografisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore në Universitetin e Prishtinës.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës vazhdoi me mbështetjen e projektit mbi Luginën e Preshevës e cila ka për synim ndriçimin e aspekteve të ndryshme gjeografike-historike, demografike, sociale, ekonomike e mjedisore të Luginës së Preshevës.

Puna disavjeçare e autorit nën mbikqyrjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me akademikët nga Lugina si Akademik Hivzi Islami, Akademik Rexhep Ismajli dhe Akademik Nexhat Daci u kurorëzua edhe me një botim i cili kësaj radhe i kushtohet natyrës së Luginës së Preshevës, shkruan Titulli.com.

Mbikqyrja, këshillat dhe sygjerimet e akademikëve të nderuar kontribuan që botimi i kësaj vepre dhe veprave të mëhershme të autorit të shquhen për qasjen dhe metodologjinë bashkëkohore shkencore, me rezultate të qëndrueshme shkencore dhe me propozime për zgjidhjen e shumë çështjeve që tangojnë sferën demografike, sociale, politike, ekonomike dhe mjedisore.

Më poshtë po japim një pjesë nga recensioni i shkruar për këtë vepër nga Akademik Nexhat Daci dhe Akademik Hivzi Islami.

Lugina e Preshevës sipas determinanteve gjeografike, historike e shoqërore paraqet një tërësi të veçantë regjionale dhe është vazhdimësi e natyrshme e trungut gjeoetnik shqiptar. Ajo shtrihet në rreth 1.250 km2. Shqiptarët jetojnë në një numër relativisht të madh dhe kanë një shtrirje territorialisht kompakte, por me një shkëputje, meqë komuna e Medvegjes lidhet me rajonin e Gallapit në Kosovë.

Lugina e Preshevës është hulumtuar kryesisht në kuadër të regjioneve më të mëdha si të Anamoravës, Pçinjës, Kumanovës etj. dhe atë vetëm nga autorët serbë. Studimet janë të mangëta edhe për faktin se ajo asnjëhërë nuk është trajtuar në mënyrë të gjithanshme e komplekse, por janë bërë vetëm hulumtime të pjesërishme fiziko-gjeografike dhe gjeomjedisore. Mangësia e hulumtimeve të deritashme qëndron në qasja klasike dhe ekstensive, gjeneralizimin e problemeve, të dhënave të vjetruara, mospërditësimit të tyre, etj. Studimet e deritanishme të cilat do të duhej të shërbenin si kornizë në të cilat mbëshetet zhvillimi e gjithëmbarshëm i një komune ose rajoni dhe të cilat propozojnë rrugët dhe mënyrat për realizimin e tij, në rastin e komunave të Luginës së Preshevës fatkeqësisht nuk arrijnë të justifikojnë këtë rol.

Një situatë e tillë shtron nevojën e sensibilizimit të opinionit akademik shqiptar për qasje serioze dhe studime thellësisht shkencore mbi Luginën e Preshevës, të udhëhequra nga parime dhe metodologji bashkëkohore shkencore. Krahas studimeve specifike dhe tematike, rëndësi të veçantë duhet t’u kushtohet përgatitjes së studimeve komplekse, rajonale dhe ndërdisiplinare, të fokusuara në vlerësimin dhe valorizimin e pasurive natyrore të kësaj hapësire interesante, me rëndësi të veçantë gjeostrategjike dhe komunikative.

Veprën e parë në rrafshin e studimeve mbi natyrën e Luginës së Preshevës, në gjuhën shqipe e sjell në dritë autori, Dr. Arsim Ejupi, ligjërues në Universitetin e Prishtinës. Ky është libri i tretë shkencor mbi Luginën e Preshevës (një në koautorësi!) me të cilin përmbyllet një cikël i studimeve shkencore mbi Luginën e Preshevës duke e bërë atë një nga trevat më të hulumtuara në mbarë gjeohapësirën shqiptare. 

Vepra “Natyra e Luginës së Preshevës – struktura, determinantet dhe resurset natyrore” paraqet një studim kompleks mbi kushtet dhe resurset natyrore të rajonit në fjalë. Në këtë vepër e cila kurorëzon punën hulumtuese-shkencore disavjeçare të autorit për herë të parë jipet një pasqyrë e kompletuar mbi strukturën fizike, dhe determinantet natyrore të Luginës së Preshevës, ndërsa resurset natyrore të cilat shpërfaqin kualitetin e bazës natyrore-gjeografike janë trajtuar jo vetëm në rrafshin e valorizimit dhe dobive ekonomike por edhe në rrafshin konzervacionist dhe ekologjik duke eksponuar gjithnjë e më tepër rolin gjeoekologjik të resurseve natyrore brenda barazpeshës ekosistemore.

 

Dorëshkrimi ka 252 faqe, fonti 12, në Times Neë Roman, me shumë tabela, harta e grafikë, fotografi dhe ilustrime të tjera. Studimi është i strukturuar në gjashtë pjesë, me parathënien dhe rezymen në gjuhën angleze, literaturën, burimet, indeksin e emrave dhe shtojcën. Pas një parathënie dhe shqyrtimeve hyrëse dhe paraqitjes së çështjes së hulumtimit, qëllimit dhe metodologjisë së përdorur, brenda pjesës së parë autori me një qasje kritike dhe argumentim shkencor shpjegon kuptimin dhe përdorimin e emërtimit “Luginë e Preshevës”,  bën diferencimin regjional-gjeografik të territorit, analizon pozitën gjeografike dhe paraqet përkufizimin e territorit. Në pjesën e dytë, në kaptinën që i kushtohet veçorive fiziko-gjeografike është dhënë një pasqyrim i  hollësishëm i ndërtimit gjeotektonik dhe metalogjenik të regjionit, evolucionit paleogjeografik, veçorive kryesore morfologjike dhe morfometrike të relievit, kushteve hidroklimatike dhe karakteristikave biopedogjeografike. Në pjesën e tretë janë dhënë konceptet teorike mbi resurseve natyrore dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Janë pasqyruar në mënyrë të hollësishme resurset natyrore  me të dhëna mbi vëllimin e tyre, historikun, gjendjen dhe perspektivën e shfrytëzimit. Pjesa e katërt i kushtohet vlerave të trashëgimisë natyrore duke filluar nga shtjellimi teorik i kuptimeve “gjeotrashëgimi” e “gjeodiversitet”, pasqyrimi i siteve të trashëgimisë natyrore në Luginën e Preshevës e derit të menaxhimi i qëndrueshëm i saj. Në pjesën e pestë trajtohen problemet e shfrytëzimit të resurseve natyrore dhe ndikimet gjeomjedisore. Në këtë pjesë përmes të dhënave të shumta faktografike si dhe vrojtimeve të drejtpërdrejta nga terreni autori shpjegon bindshëm ndikimet negative gjeomjedisore nga eksploatimi i resurseve natyrore duke dhënë gjithashtu propozime për shfrytëzimin e qëndrueshëm të tyre duke sjell kështu pasojat negative në kufinjë të tolerueshëm. Përmes hulumtimeve disavjeçare dhe punës në terren autori ka arritur që të identifikojë rreziqet kryesore natyrore të cilat shfaqen në luginë, intensitetin dhe magnitudën e shfaqjes së tyre, rolin e faktorit antropogjen, masat të cilat duhet të ndërmirren për zvoglimin e pasojave të këtyre proceseve natyrore në njerëz dhe të mira materiale, etj. Në pjesën e gjashtë autori paraqet rezultatet origjinale mbi rrugët dhe drejtimet e valorizimit të potencialit natyror si shumësi e kushteve dhe resurseve natyrore brenda territorit të luginës.

Vepra është shkruar duke ndjekur një metodologji të qartë hulumtuese-shkencore, me një qasje bashkëkohore në studimin e çështjeve të veçanta të cilat suksesshëm shpjegohen përmes parimit të kauzalitetit dhe parimeve tjera shkencore-dialektike. Mendojmë që ky studim do të plotësojë kërkesën dhe nevojën e kahmotshme për një trajtim serioz shkencor-gjeografik. Botimi i kësaj vepre pasuron Luginën e Preshevës me një monografi komplekse shkencore e cila do të jetë një burim i pazëvendësueshëm i literaturës dhe informacionit për hulumtuesit e rinjë, pa marrë parasysh këndvështrimit dhe qasjes shkencore të cilën do të ndjekin ata. Në të vërtetë kjo vepër paraqet një kontribut të madh hulumtues dhe monografinë më të rëndësishme për njohjen e natyrës së Luginës së Preshevës.

Puna intensive shkencore-hulumtuese e autorit materializohet në rezultatet origjinale, shkencërisht të qëndrueshme, që gjithsesi do të hapin perspektiva për brezat e rinj studiuesish për të ndërmarrë në të ardhmen hulumtime më të gjera. Për nga rezultatet e arritura dhe qasja metodologjike e problematikës së studiuar, ky botim i përket studimeve të tipit bashkëkohor në gjeoshkenca dhe më gjerë dhe si i tillë do të kontribuojë edhe në zgjerimin e dijeve në gjithë fushat e gjeoshkencave dhe disiplinave të afërme. Si studim kompleks me qasje bashkëkohore teoriko-metodologjike, të dhëna dhe fakte që sjell dhe konkluzionet shkencore që përmban, ai pa dyshim do të shërbejë si burim informacioni dhe reference për të gjithë ata që interesohen për këtë territor, duke filluar nga studiuesit, bota akademike, organet vendimmarrëse, faktori politik dhe institucionet shoqërore, planerët, organizatat e ndryshme joqeveritare, investitorët etj. ky botim është i mirëseardhur dhe i mirëpritur për bibliotekat e çdo  familjeje shqiptare dhe për secilin hulumtues e lexues shqiptar të kësaj krahine dhe më gjerë.

 

/Titulli.com/ 

Në maternitetin jashtë spitalor mungesë gjinekologësh nga Presheva
Në Bujanoc dhe Preshevë shqiptarët po bëhen shtetas të huaj?
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration