Ideja e Vuçiqit për bllokimin e kaliimit në Konçul ndikon në krijimin e psikozës së luftës në jug të Serbisë
Lokale

Ideja e Vuçiqit për bllokimin e kaliimit në Konçul ndikon në krijimin e psikozës së luftës në jug të Serbisë

29.Sep.2021 07:35
0

Shqiptarët e Luginës në Serbi e kanë vlerësuar raciste dhe antinjerëzore deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se ekziston një ide për të mos lejuar qarkullimin e tyre për në Kosovë. Përfaqësues të shqiptarëve atje kanë kërkuar reagimin e ndërkombëtarëve për këtë gjuhë të Vuçiqit, e cila në Kosovë vlerësohet si absurde. Ideja është kundërshtuar edhe në Serbi, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar për këtë çështje

Reagim ndërkombëtar kanë kërkuar shqiptarët që jetojnë në Serbi pas deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, rreth mbylljes eventuale të kufirit për shqiptarët e Luginës.

Si kundërpërgjigje ndaj reciprocitetit me targa, Vuçiqi tha se ekziston ideja që të mbyllet pika kufitare e Konçulit dhe përmes saj të kalojnë vetëm serbët. Kjo, sipas tij, do të bëhej në mënyrë që shqiptarët e Bujanocit dhe të Medvegjës të mos kenë kontakte me shqiptarët e Kosovës.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, thotë kjo gjuhë duhet të dënohet nga Bashkimi Evropian e deri tek Organizata e Kombeve të Bashkuara. 

“Është në kundërshtim dhe antinjerëzore një qasje e tillë ku një komunitet atakohet dhe përcaktohet si target në rast se ndodhin gjëra të tjera me tensionimin e situatës në Bërnjak dhe Jarinjë ku do të pësojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kjo më së miri tregon mentalitetin dhe vetë gjendjen në mesin e ekzekutivit në Serbi”, thotë Mustafi.

Në Kosovë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) e vlerëson raciste këtë ide, të cilën presidenti serb e përmendi, por që tha se nuk është pro saj. Drejtori i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, thotë se kjo ide është e parealizueshme.

“Është absurde dhe e pakuptimtë dhe thjesht nuk mund të ndodhë që në njërën anë ju po jepni deklarata që kanë përmbajtje krejtësisht raciste, kurse në anën tjetër po pranoni të shkoni në dialog, nesër apo pasnesër, të bisedohet për gjëra shumë më të mëdha sesa që është ajo”, vlerëson Shala.

Reagime kundër deklaratës së Vuçiqit kanë ardhur edhe nga Serbia. Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në këtë shtet ka thënë se kjo gjuhë diskriminuese dëmton shqiptarët.

“Deklaratat e tilla ndikojnë në shqetësimin e njerëzve dhe krijimin e psikozës së luftës në jug të Serbisë, posaçërisht tek komuniteti shqiptar në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Forma e tillë e diskriminimit çdoherë fillon përmes fjalimeve të tilla”, thuhet në reagimin e këtij komiteti.

Një qëndrim për këtë çështje KOHA ka provuar ta marrë edhe nga Qeveria e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje. Vendimi i Ekzekutivit për reciprocitetin me targa ka tetë ditë që ka hyrë në fuqi. Për të kundërshtuar vendimin, serbët kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration