Lokale
Firmoset marrëveshja për qeverisje lokale në Preshevë
Pushtetin lokal në komunën e Preshevës gjatë katër viteve të ardhshme do ta udhëheqin Partia Demokratike Shqiptare, Rilindja Demokratike dhe Bashkimi Demokratik i Luginës.
Këtë e kanë konfirmuar lideri i PDSH-së Ragmi Mustafa dhe i BDL-së Skender Destani të cilët kanë firmosur edhe zyrtarisht marrëveshjen për qeverisjen vendore, njofton TV “Presheva”.
Për Skender Destanin marrëveshja parasheh bashkëpunimin 4 vjeçar dhe ndarjen e funksioneve në bazë të 840 votave të BDL-së, kurse për PDSH-në me 22 këshilltarët do të ketë stabilitet shumë të fuqishëm të pushtetit lokal.
Me këtë marrëveshje rregullohen raportet e bashkëpunimit për funksionimin e pushtetit lokal në Komunën e Preshevës si dhe ndarjen e funksioneve dhe përgjegjësive në mes të PDSH-së dhe BDL-së deri në fund të mandatit 4 vjeçar.
Sipas marrëveshjes mes këtyre subjekteve politike, bashkëpunimi dhe ndarja e funksioneve është i bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 6 majit.
Funksionet që udhëheqë Bashkimi Demokratik i Luginës në pushtetin lokal janë Zv/kryetar i Komunës, zv/kryetar i Kuvendit Komunal, 1 anëtarë në Këshillin Komunal, 1 ndihmës kryetar, dhe zv/kryeshefin e administratës komunale.
Sipas këtyre funksioneve kryetari i PDSH-së thotë se partneri i koalicionit do të ketë qasje në të gjitha institucionet e pushtetit lokal, kurse BDL sipas Destanit do të mbrojë votat që i ka besuar elektorati.
Skender Destani thotë se është nënshkruar marrëveshja me PDSH-në pasi beson se pushteti do të jetë mjaftë funksional, kjo pasi që edhe në nenin 5 thuhet se të gjitha çështjet që nuk janë përfshi në këtë marrëveshje do të zgjidhen me mirëkuptim në momentin e paraqitjes së tyre në interes të funksionimit të pushtetit lokal dhe me iniciativë të cilësdo palë nënshkruese të kësaj marrëveshje.
Në marrëveshjen thuhet se të gjitha vendimet nën kompetencën e pushtetit lokal do të merren me konsensus, në bashkëpunim dhe koordinim në mes dy, eventualisht tre palëve si partnere të koalicionit./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!