Lokale
Ekskluzive: Feith tenton bashkimin e Luginës, a pati sukses?
Zhvillohen bisedime të “fshehta” me shefin e zyrës Civile Ndërkombëtare (ICR) në Kosovë Pieter Feith. Të ftuar me këtë qëllim, në darkë-pune ishin drejtuesit e institucioneve dhe subjekteve politike që veprojnë në Luginë.
Për të bashkuar shqiptarët e komunës së Bujanocit dhe Preshevës së fundmi është angazhuar edhe përfaqësuesi i zyrës Civile Ndërkombëtare (ICR) në Kosovë, Pieter Feith, raporton Titulli.
Ai të martën rreth orës 20h ka takuar disa nga liderët politikë e institucional të Luginës.
Edhe pse pothuajse të gjithë kishin marrë ftesë, në takim kanë marrë pjesë kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, i Preshevës Ragmi Mustafa, kryetari i LPD-së Jonuz Musliu, ish komandanti i UÇPMB-së Shefket Musliu.
Në takim ishin të ftuar edhe të tjerët, në mesin e tyre edhe deputeti Riza Halimi, mirëpo ai nuk iu përgjigjën ftesës.
Sipas burimit të Titullit brenda delegacionit, takimi është mbajtur në restorant “Planet” në afërsi të Gjilanit, ndërsa përveç bisedës relaksuese, qëllimi kryesor ka qenë edhe unifikimi i faktorit politik shqiptarë të Luginës, e me theks të veçant atë të Bujanocit.
Momentalisht komuna e Bujanocit drejtohet nga kryetari Nagip Arifi i cili shumicën qeverisëse në këtë komune e përbënë me tre subjekte politike serbe.
Partia e tij ka fituar më shumë ulëse në kuvendin e Bujanocit se çdo subjekt tjetër.
Arifi pas zgjedhjeve lokale të 6 majit i ka bërë ftesë subjekteve politike shqiptare për të formuar shumicën në këtë komunë multietnike, mirëpo ftesës e cila u drejtua në adresë të këtyre partive, për tri herë radhazi, nuk iu janë përgjigjur subjektet në fjalë./Titulli.com/.
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!