Lokale
"E dua rrugën të asfaltuar para Bajramit" (foto)
Punimet janë duke vazhduar në rrugën malore Tërnoc - Breznicë. Tre kilometrat e para do të asfaltohen para festës së Bajramit.
Punimet në rrugën më të rëndësishme për malësinë e Bujanocit janë duke u zhvilluar me intensitet të lartë.
Ashtu siç porositi herën e fundit kryetari Arifi kompaninë kontraktuese "Saba Bellça", ashtu edhe si duket do të bëhet.
"E dua rrugën të asfaltuar para festës së Bajramit", këto ishin fjalët e Arifit gjatë shpërthimit të dinamitit për të zgjeruar këtë rrugë.
Këtë kërkesë të kryetarit të komunës e ka marrë shumë seriozisht kompania "Saba Bellca" nga Presheva, e cila ka angazhuar një numër të madh të makinerive për të përgatitur tre kilometrat e para për asfaltim.
Shumë i kënaqur me punimet është edhe drejtori i Drejtoratit për Ndërtim, Agim Haliti, i cili i tha Titullit se para festës së Kurban Bajramit gjysma e kësaj rruge do të shtrohet me asfalt.
"Punimet janë duke u zhvilluar me intensitet të lartë dhe gjysma e pjesës së paraparë vetëm se është gati për asfaltim, ndërsa po punohet në përgatitjen edhe të pjesës tjetër që kemi planifikuar këtë vit ta asfaltojmë", tha Haliti.
Ai shpjegoi se qytetarët e Malësisë së Bujanocit, për këtë festë të Bajramit do ta kenë shumë më të lehtë ti vizitojnë të afërmit në Bujanoc dhe anasjelltas.
Haliti theksoi se ky nuk është "fronti" i vetëm i punimeve që po bëhet në komunën e Bujanocit.
Ndërtime të rrugëve janë përfunduar ose janë në fazën përfundimtare në vendbanimet si Samolicë, Bilaç, Kushticë, Muhoc, ndërsa së shpejti pritet edhe fillimi i punimeve për asfaltimin e rrugës së fshatit Bilinicë që lidhet me Muhocin./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!