Cramon kërkon nga BE-ja ta trajtojë më seriozisht çështjen e pasivizimit të adresave në Luginë
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se BE-ja nuk po i kushton vëmendje sa duhet pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës nga ana e autoriteteve serbe.
“Shpesh akuzohemi se nuk i kushtojmë vëmendje të mjaftueshme në BE kësaj forme të diskriminimit. Kjo është e saktë. Unë vetë e kam ngritur këtë problem shpesh në komisione, e kam përfshirë në raporte të ndryshme dhe e kam vizituar vetë rajonin. Fatkeqësisht, problemi është se pakica shqiptare në Serbi – ndryshe nga popullata serbe në Kosovë – nuk është pjesë e dialogut të organizuar nga BE-ja dhe për këtë arsye merr peshë dukshëm më të vogël në Bruksel, por edhe në kryeqytetet tjera të BE-së. Për këtë BE-ja duhet ta vendosë këtë temë shumë më përpara në agjendë në bisedimet për anëtarësim të Serbisë dhe t’i japë prioritet shumë më të madh mbrojtjes së pakicave në Serbi. Nuk mund të hyjë në BE asnjë vend që ua heq qytetarëve të vetë shtetësinë pa asnjë arsye”, ka shkruar Von Cramon.