Bujanoci gati për ndërtimin e objektit të fakultetit (foto & video)
Shefi i misionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Majkëll Davenport dhe Ambasadori i OSBE-së Peter Burkhard kanë qëndruar në Komunën e Bujanocit dhe ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e qeverisjes lokale.Temë diskutimi ka qenë ndërtimi i objektit të Fakultetit Ekonomik të Suboticës i cili pritet të fillojë brenda vitit të ardhshëm.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi ka falënderuar të gjithë ata që po ndihmojnë në ndërtimin e këtij objekti me rëndësi për të rinjtë e komunës, raporton Titulli.
“Sot është një ditë feste për qytetarët e komunës së Bujanocit. Nga sot mundë të them se Bujanoci do të jetë një qytet universitar dhe për momentin është Fakulteti Ekonomik dhe shpresojë se në të ardhmen do të hapen edhe drejtime tjera”, tha Arifi.
Ambasadori Majkëll Davenport tha se është një ditë e madhe jo vetëm për Bujanocin por edhe për gjithë rajonin.
“Para një viti kur isha unë këtu më patën njoftuar për vendin ku do të ndërtohet objekti i fakultetit dhe ne së bashku kemi arritur deri këtu që sa më shpejt të fillojnë punimet. Gjithashtu ky është një hap i mirë që Bujanoci do të bëhet qytet i studentëve”, deklaroi Davenport në Bujanoc.
Ambasadori i OSBE-së në Serbi, Peter Burkhard tha se është një hap i rëndësishëm përpara për studentët këtu.
“Është një ditë e madhe për studentët, Bujanocin dhe për të gjithë neve sepse veç tre vite ne së bashku kemi menduar për këtë projekt dhe sot po e përjetojmë. Tani më nuk është vetëm muhabet por është një gjë serioze”, është shprehur Nenad Vunjka, dekani i Fakultetit Ekonomik të Suboticës.
Kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, tha se të gjitha lejet janë marrë dhe kjo e fundit për ndërtimin e objektit për shkollim të lartë.
“Jam shumë i lumtur që vitin e ardhshëm Bujanoci do ta ketë objektin në të cilin dhe do të kemi studentë që do të kryejnë studimet në këtë fakultet”, theksoi Stankoviq.
Delegacioni i përbërë nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, OSBE-së, qeverisjes lokale në Bujanoc dhe përfaqësuesve të Fakultetit Ekonomik të Suboticës kanë takuar edhe studentët që vijojnë shkollimin e tyre të lartë në Bujanoc.
Objekti për shkollim të lartë për departamentin e Fakultetit Ekonomik nga Subotica në Bujanoc po mundësohet me financimin e fondeve të Bashkimit Evropian, Qeverisë së Serbisë dhe Komunës së Bujanocit.
Ky objekt parashihet të ndërtohet brenda vitit 2015 në mënyrë që studentët vitin e ardhshëm të fillojnë në objektin e ri që do të kushtojë afro 1.5 milion euro. /Titulli.com/