Bujanoc: Viti i zgjedhjeve të jashtëzakonshme?!
Bujanocin dhe qendrat e tjera në Serbi, vitin që sapo kemi hyrë, po e pret një dimër i thatë dhe i gjatë. Veç klimës siberiane, Serbinë, po e presin edhe klima të tjera jo të favorshme si në planin ekonomik ashtu edhe politik.Populli e thotë bukur se kur „qarten zotnitë ndër veti”, aty nuk ka rehati, ndaj në bazë të opinioneve, që rrjedhin kuluareve të ndryshme, në shtetin më të madh me pakica kombëtare siç është Serbia, sipas Shoqërisë Civile “Perspektiva”, do të ndodhin zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Po qe se ndodh diçka e pazakontë, në lidhje me zgjedhjet e këtij viti, ato të rregullta i kemi të sigurta, jo më larg se 15 muaj.
Sipas “Perspektivës” që tashti, partitë politike shqiptare në Luginë të Preshevës, kanë filluar të luhaten dhe të nxjerrin në sipërfaqe mospajtimet në planin e funksionimit të qeverisjeve lokale.
Për dallim nga Presheva dhe Medvegja, Komuna e Bujanocit, në këto zgjedhje eventuale, do të hyjë e çorientuar si kurrë më parë.
“Partitë në pushtet: PD e Nagip Arifit dhe LPD e Jonuz Musliut, do të bëjnë çmos për të mbetur edhe më tej në pushtet, ngase nuk i kanë përmbushur as për së afërmi premtimet elektorale, të zgjedhjeve të vitit 2012. Ky mandat, që po ikën pa prit e kujtuar, për partitë pushtetare shqiptare, të cilat lidhën kurorë qeverisjeje me të gjitha partitë serbë, do të përmendet për shumë vepra të pamira me karakter revanshizmi e nepotizmi partiak e familjar”, vlerëson “Perspektiva” me seli në Bujanoc.
Sipas kësaj OJQ-je, për të mbetur në pushtet, PD e LPD, kanë filluar të planifikojnë „surpriza” të reja për partitë e koalicioni serb, të cilat edhe ashtu, në këtë mandat, fituan më shumë funksione, se sa vota elektorale.
„Surpriza” e radhës për liderët lokalë serbë, mund të jetë legjislativi. Kjo fizkulturë politike, mund të bëhet për shkak konkurrencës mes partive shqiptare, të cilave u mungon uniteti, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi.
“PD e Nagip Arifit, nuk do ta ketë vështirë t’i bëjë këto akrobacione, ngase e ka përgatitur terrenin me LPD e Jonuz Musliu, të cilin e ka rehatur në Këshillin Nacional, me kryetarllëk”, thuhet matej në kumtesë, transmeton Titulli.
Justifikimi i këtyre lëvizjeve, arsyeton veprimin e PD dhe LPD, se vetëm me një multietnicitet fifti-fifti, mund të realizohet me shpërblimin e Beogradit, për emërtimin e reja të rrugëve dhe shesheve, restaurimin e qendrës së Bujanocit, ngritjen e godinës së Fakultetit Ekonomik të Suboticës, në Bujanoc, asfaltimi i rrugës në Malësi të Bujanocit e projekte të tjera, shkruan “Perspektiva” .
Këto projekte kapitale, disa prej të cilave veç kanë filluar të implementohen, i motivojnë më shumë partitë pushtetare mos me lëshuar pe, as në mandatin e ardhshëm rreth koalicionit qeverisës.
“Një motivim tjetër i nxitë partitë pushtetare, me zgjedhjet e fundit për Këshillin Nacional, të cilin arritën ta shkëpusin nga opozita e tashti lakmojnë postet e deputetëve. “Magjitë e zeza” të këtij pushteti totalitar, mund t’i prish vetëm fuqia e votës së lirë, e cila assesi nuk duhet të korruptohet, të manipulohet dhe të përfitohet për poena të lirë politikë”, thuhet në kumtesë.
“Vota elektorale, është çelësi i vetëm i ndryshimeve, mos provoni, që ajo të vihet në shërbim të klaneve dhe grupeve të interesit partiak, personal e familjar”, porositë Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc. /Titulli.com/