Bruskel: Marrëveshja për targat, takohen delegacionet e ekspertëve nga Kosova dhe Serbia
Në Bruksel sot është mbajtur takimi i dytë i delegacioneve të ekspertëve nga Kosova dhe Serbia në lidhje për gjetjen e një zgjidhje afatgjate në lidhje me targat e veturave të cilat nuk pranohen nga të dyja shtetet.
I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se delegacionet sot kanë mbajtur takimin e dytë, të cilin ai e ka cilësuar si konstruktivë, transmeton Zeri.info.
“Delegacionet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot për takimin e dytë të Grupit Punues për Targat në Bruksel. Delegacionet u angazhuan në mënyrë konstruktive dhe vazhduan shkëmbimin e mendimeve. I inkurajoj që të gjejnë një zgjidhje të përhershme për hir të qytetarëve të tyre”, shkroi Lajçak në Twitter.
Kujtojmë se këto delegacione u formuan pasi Kosova vendosi reciprocitet me Serbinë për targat e cila në muajin shtator ngjalli tensione, ku Serbia kërcënoi edhe me luftë Kosovën, më pas më 30 shtator, Kosova dhe Serbia ranë dakord në Bruksel për një zgjidhje të përkohshme që përmes letrave ngjitëse të qarkullojnë veturat e njëra tjetrës në të dyja vendet.
Delegacionet e ekspertëve kanë një afat prej gjashtë muajsh për të gjetur një zgjidhje të përhershme për targat e veturave mes Kosovës dhe Serbisë.