Beogradi dhe Moska janë 'në kontakt' për protestën kundër litiumit në Serbi Protesta në Beograd kundër litiumit.
Rajoni dhe Politika

Beogradi dhe Moska janë 'në kontakt' për protestën kundër litiumit në Serbi

18.Aug.2024 07:46
0

Bashkimi Evropian (BE) i tha Serbisë se mbajtja e lidhjeve me Rusinë gjatë agresionit kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e bllokut dhe procesin e anëtarësimit.

Reagimi i Brukselit pasoi takimin e zëvendëskryeministrit Aleksandar Vulin me zyrtarët e Kremlinit në Moskë dhe “falënderoi strukturat ruse të sigurisë për paralajmërimin për përgatitjen e trazirave masive dhe tentativës për grusht shteti” në Serbi.

Protestat kundër minierave të litiumit, të cilat nxorën dhjetëra mijëra njerëz në rrugë në Beograd dhe qytete të tjera javët e fundit, autoritetet i quajnë një "tentativë për grusht shteti".

"Bashkimi Evropian ka qenë i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës", tha BE-ja në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 15 gusht.

Në Bruksel deklarojnë gjithashtu se BE-ja "dëshiron të llogarisë në të gjitha vendet kandidate si partnerë të besueshëm evropianë për parime, vlera, siguri dhe prosperitet të përbashkët".

 

Ndërkohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar vende perëndimore, pa i identifikuar se cilat, se qëndrojnë pas demonstratave kundër minierave të litiumit.

Para protestës së Beogradit më 11 gusht, Vuçiq deklaroi gjithashtu se në Serbi kanë mbërritur paralajmërimet nga shërbimet ruse “se po përgatiten trazira masive, qëllimi përfundimtar i së cilave është një grusht shteti dhe përmbysja e udhëheqjes së vendit”.

Protesta kaloi pa incidente të mëdha. Pas bllokimit të një prej stacioneve hekurudhore në qytet, janë arrestuar tre aktivistë, të cilët akuzohen për shkelje të rendit dhe qetësisë publike. Ata u liruan për t'u mbrojtur në liri. Organizatorët i përshkruan këto arrestime si një formë shtypjeje nga Qeveria.

Çfarë fshihet pas akuzave se Perëndimi mbështet protestat?

Qeveria e Serbisë dhe Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it se çfarë informacioni i dhanë Beogradit shërbimet ruse.

 

Pyetja se mbi bazën e cilave prova pretendojnë se protestat kundër litiumit janë një përpjekje për të rrëzuar Qeverinë dhe se vendet perëndimore i mbështesin ato, është gjithashtu pa përgjigje.

"Është marrëzi", thotë për Radion Evropa e Lirë Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara.

"Perëndimi, gjithashtu, mbështet Vuçiqin dhe minierat e litiumit, të cilat protestuesit duan t’i ndalojnë", shton ai.

Shkak për protesta masive është shpallja e hapjes së minierës së litiumit nga kompania ndërkombëtare Rio Tinto në luginën e lumit Jadar, në perëndim të vendit – nga frika e disa qytetarëve se projekti mund të ketë ndikime të dëmshme për mjedisin.

 

Projekti i minierës së litiumit në Serbi u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe në prani të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, Serbia nënshkroi një Memorandum për lëndët e para të qëndrueshme me BE-në më 19 korrik në Beograd.

Dokumenti parashikon të gjithë zinxhirin e prodhimit - nga nxjerrja e litiumit në minierën Rio Tinto në Jadar, deri te prodhimi i baterive për automjetet elektrike.

“Ideja se ata [Perëndimi] do ta rrëzojnë Qeverinë, e cila është partneri i tyre qendror në atë projekt, është shumë e vështirë të pranohet”, thekson Vuk Vuksanoviq nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politika të Sigurisë.

Mbështetje për minierat e litiumit në Serbi jep edhe Qeveria, e udhëhequr nga Partia Progresive Serbe, e cila muajt e fundit ka bërë disa lëvizje për të marrë dritën jeshile për projektin e Rio Tintos.

Dhe, përmendja e Vuçiqit për shërbimet ruse dhe akuzat kundër Perëndimit janë, sipas Vuk Vuksanoviqit, "një pjesë integrale e strategjisë së komunikimit" për t’i diskredituar protestat.

"Unë do të thosha se funksioni kryesor i Rusisë në këtë rast është t'i bëjë thirrje Moskës, të përfitojë nga popullariteti i saj në mesin e votuesve dhe kështu të përpiqet të diskreditojë kritikët e Qeverisë", shton ai.

Pse 'ndërhyri' Rusia?

Nga Kremlini, me të cilin Beogradi zyrtar nuk i prishi marrëdhëniet e ngushta as pas pushtimit rus të Ukrainës, dolën akuza publike se vendet perëndimore po inkurajojnë protestat kundër litiumit.

Përkrahja ruse është vetëm një provë tjetër e bashkëpunimit të tyre..."

Zëdhënësja e ministres së Jashtme ruse, Maria Zakharova, vlerësoi më 9 gusht se analiza e situatës në Serbi "tregon përpjekje të përsëritura të forcave të caktuara keqdashëse për të aktivizuar arsenalin e njohur shkatërrues me qëllim të minimit" të Qeverisë.

Zakharova theksoi se “po flasim për një skemë famëkeqe, e cila është përdorur vazhdimisht në Ballkan, por edhe në rajone të tjera, nga ideologët perëndimorë të demokracisë dhe shërbëtorët e tyre vendas”.

Siç thekson profesor Daniel Serwer, qëllimi i ndërhyrjes së Kremlinit është të "minojë Perëndimin dhe të investojë në Vuçiqin".

"Përkrahja" ruse është vetëm një provë tjetër e bashkëpunimit të tyre [autoriteteve serbe dhe ruse] në kundërshtimin e ndikimit perëndimor", shton ai.

Sipas Vuk Vuksanoviqit, Moska "pranoi me kënaqësi" të ndihmojë në promovimin e Qeverisë në Serbi dhe diskreditimin e kritikëve të saj.

“Sepse është një mënyrë që ata të vazhdojnë të jenë disi të pranishëm në Serbi dhe në Ballkan, duke qenë se ndikimi i tyre në atë zonë është ulur ndjeshëm që nga lufta në Ukrainë”, shpjegon ai.

“Dhe, kjo përkon me narrativin e tyre në nivel ndërkombëtar, kur ata përpiqen ta paraqesin veten si një fuqi që kundërshton hegjemoninë ndërhyrëse të Perëndimit", shton Vuksanoviq.

Organizatorët e protestës e mohojnë pretendimet e Vuçiqit

Pretendimet e Vuçiqit për mbështetjen e shërbimeve të huaja për protestat dhe “përpjekjen për ta rrëzuar Qeverinë” në Beograd, mohohen nga organizatorët.

Nebojsha Petkoviq nga shoqata “Ne damo Jadar” nga Gornji Nedeljice, fshati ku është planifikuar miniera Rio Tinto, thekson se nuk financohen nga të huajt, por nga “populli i Serbisë” që u paguan donacione.

 

Kjo shoqatë ishte ndër organizatorët e protestës në Beograd më 11 gusht.

“Vuçiqi le të thotë se cilat janë shërbimet perëndimore që po e shkatërrojnë, cilat janë ato shoqata dhe kush po na financon neve. Kjo është mantra, me të cilën ai mashtron popullin, e bën me qëllim. Me të gjithçka është ‘individë’ dhe 'disa', le të dalë me saktësi dhe qartë për kë bëhet fjalë", shton Petkoviq.

Ai thekson se qëllimi i organizatorëve të protestës nuk është "që të shkaktojnë grusht shteti dhe trazira në rrugë".

“Ndryshimet e Qeverisë bëhen në zgjedhje, nëse dikush pret të vijë në pushtet në shpinën tonë, gabon. Qëllimi i protestës është të mblidhet populli dhe të shohë bota se sa njerëz janë kundër projektit të minierës së litiumit”, përfundon ai.

Krahasimet me Maidanin

Protestat mjedisore në Serbi, në mesin e përfaqësuesve të autoriteteve në Beograd dhe Moskë krahasohen me Maidanin - demonstratat në Kiev që rrëzuan presidentin prorus i Ukrainës, Viktor Janukoviq.

Euromaidan, ose Maidan, filloi në nëntor të vitit 2013, kur demonstruesit u mblodhën në sheshin kryesor të Kievit për të protestuar kundër vendimit të presidentit të atëhershëm Viktor Janukoviq, për të mos nënshkruar një marrëveshje kryesore tregtare me Bashkimin Evropian.

Në vend të kësaj, ai kërkoi lidhje më të ngushta ekonomike me Rusinë.

Pasi qindra protestues në Kiev u vranë në përleshjet me forcat qeveritare më 18 dhe 20 shkurt 2014, Janukoviq dhe shumica e anëtarëve të Qeverisë së tij u larguan në Rusi.

 

Moska më pas filloi pushtimin e Krimesë së Ukrainës dhe nxiti një konflikt vdekjeprurës separatist në dy rajone në lindje të Ukrainës.

Kjo nuk është hera e parë që Qeveria, e udhëhequr nga Partia Progresive Serbe, i krahason protestat e Beogradit me ato në Maidan.

E njëjta gjë ndodhi edhe pas protestave të dhjetorit të opozitës, të cilën Qeveria e akuzoi për vjedhje zgjedhjesh.

Krahasimi i protestës me Maidanin, sipas profesorit Daniel Serwer, "tregon vetëm shije të keqe dhe frikë".

Siç thekson ai, edhe Kremlini edhe Qeveria e Vuçiqit kanë “frikë nga protestat popullore”.

"Kjo [protesta] nënkupton mungesën e legjitimitetit të tyre," shpjegon Serwer.

Vulin në Moskë

Tri ditë pas protestës masive në Beograd, tema e takimit të zëvendëskryeministrit Aleksandar Vulin me sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergei Shoigu, në Moskë, ishte "pjesëmarrja aktive e forcave të jashtme në provokimin artificial të tensionit".

 

Vulin, siç njoftoi Qeveria, më pas ka falënderuar strukturat ruse të sigurisë për paralajmërimet “për tentativën për grusht shteti”.

Kjo ishte vizita e dytë e Vulinit në Rusi që kur ai u bë zëvendëskryeministër në fillim të majit.

Para këtij posti, Vulin ishte njeriu i parë i Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë.

Ai dha dorëheqjen nga kreu i BIA-s disa muaj pasi ndaj tij SHBA-ja vendosi sanksione në korrik të vitit 2023 - ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Kremlinin.

"Vulin është emëruar padyshim si person kontaktues për Moskën dhe kryeqytetet joperëndimore. Është gjithashtu një mënyrë që politikanët si Vulini të mbeten të rëndësishëm në koalicionin qeverisës", vlerëson Vuk Vuksanoviq nga Qendra e Beogradit për Politikë të Sigurisë.

 

BE dhe SHBA, presion Serbisë: Marrëdhëniet me Rusinë “nuk janë normale”

Vuksanoviq beson se bashkëpunimi midis sektorëve të inteligjencës ruse dhe serbe vazhdoi pas pushtimit të Ukrainës dhe se Kremlini "me shumë gjasa kërkon kundërfavore, siç është presioni ndaj aktivistëve rusë kundër luftës" për të mbështetur autoritetet në Serbi.

Anulimi i mikpritjes për aktivistët rusë kundër luftës në Beograd filloi në verën e vitit 2023, ndërsa Vulini ishte në krye të Agjencisë.

Disa shtetas rusë, të cilët erdhën në Serbi pas fillimit të luftës në Ukrainë si kundërshtarë të regjimit të Putinit, u urdhëruan të largoheshin nga Serbia me arsyetimin se ata ishin "kërcënim për sigurinë".

Lidhjet e ngushta të Vulinit me drejtuesit e sektorit të sigurisë dhe inteligjencës ruse u konfirmuan edhe nga medalja që ai mori nga Shërbimi Federal i Sigurisë, si dhe nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Gjatë vizitave të tij në Moskë, ai rregullisht thekson se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Kremlinit, gjë që Bashkimi Evropian e ka kërkuar që ta bëjë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Vulin kishte shkuar në Moskë dy muaj përpara se Rusia të fillonte pushtimin e saj në Ukrainë dhe ndërsa trupat e saj ishin në kufi me atë vend.

Më pas, nga pozita e ministrit të Brendshëm, ai i premtoi shefit të sigurimit të atëhershëm rus, Nikolai Patrushev, se Serbia “nuk do të jetë kurrë pjesë e hapësirës për nisjen e një fushate” kundër Rusisë dhe Vladimir Putinit.

Në atë takim u tha se vendet e lira duhet t'u rezistojnë "revolucioneve me ngjyra".

Revolucioni me ngjyra është emri i përdorur për përmbysjen e regjimeve autoritare, siç ishte rasti në Ukrainë në 2004/2005. Kjo ngjarje njihet si Revolucioni Portokalli.

Për shkak të kontakteve të tij me Patrushevin, opozitari rus Vladimir Kara-Murza akuzoi Vulinin në fund të vitit 2021 se kishte çuar në Moskë regjistrimet e një takimi të anëtarëve të opozitës ruse në Beograd, pas së cilës njëri prej tyre u arrestua në Rusi.

Vulin i mohoi këto pretendime dhe njoftoi një padi kundër Kara-Murzait, por nuk dihet nëse ai në të vërtetë e paditi atë.

Kara-Murza u dënua me 25 vjet burgim në Rusi për "tradhti të lartë", përhapje "informacionesh të rreme" për ushtrinë ruse dhe punë ilegale për një organizatë "të padëshirueshme".

Ai u lirua nga një burg rus më 1 gusht, në shkëmbimin më të madh të të burgosurve midis Rusisë dhe Perëndimit që nga fundi i Luftës së Ftohtë./REL/

Përse gazi natyror nga Rusia ende rrjedh drejt Evropës përmes Ukrainës?
Bislimi për provokimin në Bujanoc: S’është incident i izoluar, por kërcënim e represion kundër shqiptarëve
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration