Lokale
AWO-ja gjermane e interesuar për të rinjtë e Bujanocit (foto)
Përfaqësuesit e organizatës joqeveritare AWO Bremerhawen nga Gjermania sot ka takuar udhëheqësin komunale për të vazhduar bashkëpunimin dhe projekte të reja për të rinjt e kësaj komune.
Pas takimit të mbajtur në zyrën e komunës me kryetarin Nagip Arifi dhe nën/kryetarin Stojança Arsiq, Drejtori gjeneral i AWO Bremerhawen, Wolker Tegeler, theksoi se kjo organizatë ka një qendër rinore në Bujanoc dhe është e interesuar që edhe më tej të vazhdojë aktivitetin e saj në këtë komunë, raporton Titulli.
“Ne jemi organizatë joqeveritare e cila një kohë të gjatë është aktive në këtë rajon, kemi një qendër rinore në Bujanoc dhe ishim të interesuar të dëgjojmë nga kryetari se si mund të vazhdojmë edhe më tutje të bashkëpunojmë”, tha Tegeler.
Ai po ashtu shpjegoi edhe projektet e parapara për ti realizuar në të ardhmen.
“Do të kemi projekte të reja për të rinjtë, shkollimin e të rinjve, të kenë perspektivë më të mirë këtu si dhe sigurisht jashtë vendit”, përfundoi drejtori gjeneral Tegeler.
Shefi i zyrës së kryetari Arifi, Arbër Pajaziti, në prononcimin e tij pas takimit, theksoi rëndësinë që organizata gjermane të vazhdojë me realizimin e projekteve në këtë komunë edhe në të ardhmen.
“Në takim është biseduar për projektet e ardhshme që kjo organizatë ka në planë ti realizojë në Bujanoc, ndërsa interesimi kryesor është investimi në shkollimin e të rinjve dhe punësimin e tyre”, theksoi Pajaziti.
Shefi i zyrës po ashtu tha se organizata gjermane ka përkrahjen e kryetarit Arifi, ndërsa kjo organizatë shfrytëzon edhe hapësirat e objekteve publike të kësaj komune për të zhvilluar aktivitetet e saj.
Organizata AWO Bremerhawen, në Bujanoc ka “Qendrën Rinore”, e cila për të rinjtë ofron ndihmë në kryerjen e detyrave të shtëpisë, propozime kreative, aktivitete sportive, kurse për kompjuter, kurse gjuhe, seminare, festime në raste të caktuara, takime tejkufitare, kujdesi psikosociale./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!