Arifi nuk mban konferencë vjetore, viti 2014 me premtime të pambajtura!
E pritem deri në ditën e fundit, por nuk ftoi mediat ashtu siç pat bërë një vit më parë, kur paralajmëroi se konferencën vjetore do ta bëjë tradicionale.
Se Komuna Bujanocit këtë vit nuk i është përmbajtur premtimeve të dhëna tregojnë punët në terren, të filluar me muaj më parë e që tash vetëm se ishin dashtë të harrohen, e më e keqja disa as që kanë filluar, edhe pse kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi kishte deklaruar se këtë vit do të duheshin të fillonin.
Ndërtimi i sheshit Karagjorgje Petroviq i filluar me vonesë, e që në 2014-n nuk përfundoi, edhe pse ishte thënë se ajo do të bëhet, është vetëm një projekt që nuk i qëndroi në fjalë kryetarit Arifi.
Ai pat premtuar edhe rreth-rrotullimin në hyrje të Bujanocit, mirëpo as këtë nuk arriti ta fillojë, duke e shtyrë për vitin që po hyjmë.
Projekti i shumëpërfolur për studentët në këtë qytet, herë objekt fakulteti e herë universiteti, edhe pse u tha se gjatë muajit dhjetor do të fillojë, edhe mëtej hapësira e paraparë për ndërtim përballë Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc, përveç asfaltit të mbuluar me borë, nuk ka asgjë.
Për qytetarët e Bujanocit ky është një vit u humbur, një vit që jo se nxiti zhvillim ekonomik, por i ktheu prapa, me disa të përjashtuar nga puna e me mijëra qytetarë që vazhdojnë të presin në Entin për Punësim.
Kryetari Arifi në këtë fundvit nuk doli para gazetarëve, që të jap llogari para atyre që e kanë zgjedhur, një traditë kjo e drejtuesve të institucioneve.
Konferencën vjetore e anashkaloi, përderisa vitin 2013 e mbajti një të tillë, por si duket përvoja nga viti i kaluar, ku u shtruan pyetje më pak të pëlqyera, këtë vit shtrëngoi të parin e komunës të përzgjedhë vetëm daljen në intervista “përshëndetje dhe urime”.
Sipas paralajmërimeve, Komuna e Bujanocit vitin 2015, përveç projekteve që nuk janë realizuar apo përfunduar në vitin që po e lëmë, e që pritet të përfundojnë në vitin e ri, shpresë për zhvillime të reja nuk ka, aq më shumë kur kemi njoftime për lëshime të reja nga puna.
Shpresat e qytetarëve në udhëheqësinë e Bujanocit në 2014-n janë zbehur dukshëm. Ndryshime në zhvillim, jo vetëm në infrastrukturë por edhe në hapjen e vendeve të re të punës, mbetet interesi kryesorë i qytetarëve të kësaj komune.
Andaj, stafi i mediumit Titulli.com të gjithë qytetarëve dhe lexuesve të saj të rregullt i dëshiron një vit të ri të mbarë, me shëndet dhe avancim të të drejtave të tyre.
Udhëheqësia lokale në vitin 2015 të jetë më vigjilente dhe të përmbushë premtimet e dhëna qytetarëve, kështu do të mund të kemi një përmirësim të situatës në rajon, që për momentin është pak shpresëdhënëse.
Editorial i portalit informativ Titulli.com