Arifi, 73 milion për rreth-rrotullimin e vonuar
Kryetari i Komunës së Bujanocit sot ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e rreth-rrotullimit në hyrje të Bujanocit me vlerë rreth 73 milion dinarë, pa tatimin në vlerën e shtuar (tvsh).
Ky projekt kapital që është dashtë të fillojë ndërtimin vitin e kaluar, sikurse edhe godina e fakultetit, për arsye që i dinë kryetari, është shtyrë për vitin 2015-të.
Projekti në fjalë, përveç ndërtimin e rreth-rrotullimit, ka edhe rregullimin e rrugës së Gjilanit dhe ajo që shpie për në Vranjë, ndërsa momentalisht komuna për këtë projekt që pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti, ka ndarë 25 milion dinarë, kurse pjesëmarrës në realizim do të jetë edhe Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Me këtë kontratë, ndërtimin e rreth-rrotullimit me infrastrukturën përcjellëse e ka marrë përsipër kompania nga Presheva “Saba Bellça”.
Vet kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi kishte deklaruar vitin e kaluar se do të fillojë ndërtimi i sheshit si dhe rreth-rrotullimit në hyrje të këtij qyteti, duke filluar ndërtimin e sheshit me një muaj vonesë, i cili ende nuk ka përfunduar, ndërsa rreth-rrotullimi ishte “harruar”.
Vlen theksuar se vetëm në këto dy projekte, ndërtimi i sheshit “Karagjorgje Petroviq” dhe tani rreth-rrotullimi, do të jetë një investim mbi 140 milion dinarë, ndërsa nga ana tjetër për stimulimin e punësimit të qytetarëve, nga buxheti për vitin 2015 të kësaj komune, janë paraparë vetëm 5 milion dinarë, të cilat do t’i ndahen ndërmarrjeve private që punësojnë qytetarë, dhe do të vlejnë për një vit.
Buxheti i komunës së Bujanocit për vitin 2015 është rreth 903 milion dinarë, kurse nga kjo shumë rreth 200 milion dinarë janë paraparë vetëm për infrastrukturë.
Si vitin e kaluar edhe këtë vit, drejtuesit e kësaj komune përparësi i kanë dhënë rregullimit të infrastrukturës, siç thonë për ta bërë Bujanocin “Evropian”, ndërsa nga ana tjetër, si pasojë e moszgjidhjes së problemit të rritjes së papunësisë, shumë qytetarë të kësaj komune po lëshojnë vatrat stërgjyshore, duke migruar në vendet e Bashkimit Evropian. /Titulli.com/