Apokalips në Luginë, Morava merr veturën BMW dhe përmbyt prona private (Foto dhe Video)
Drita e ditës së sotme nxori në pah dëmet që ka shkaktuar dhe po shkaktohen nga reshjet e djeshme të shiut, të cilat kanë nxjerrë nga shtrati lumin Morava, duke shkaktuar dëme në prona private dhe bujqësi, ndërsa fuqia e ujit që vërshonte ka marr me vete edhe një makinë nga parkingu.
Fshatrat përmes të cilave kalon lumi Morava, si Konçuli dhe Lluçani, po përballen me dëme të mëdha të shkaktuar nga vërshimet që janë bërë.
Banorët e këtyre vendbanimeve të komunës së Bujanocit, këtë fryrje kaq të madhe të lumit e vlerësojnë si apokaliptike, pasi ka me dekada që Moravën të mos e kenë parë në këtë gjendje.
Banorët, si Enver Zairi nga fshati Konçul, janë të tronditur me atë që po ndodhë, ai shprehet se nga kjo situatë mund të na nxjerrë vetëm Zoti.
“Dëmet janë të mëdha. Uji që na ka ardh pre promit, që për dallim prej herave tjera është më i madh, na ka ba dame shumë. Në bodrum kemi orenditë, dy friza plot me gjëra ushqimore që janë nën ujë. Ndërsa mbrëmë bashkë me vëllaun kemi punuar tërë natën për të shpëtuar grurin nga hambari, duke mbushur rreth 30 thasë me nga 50 kilogramë”, i tha portalit informativ Titulli, Enver Zairi, që një ngjarje të tillë nuk mban mend të ketë ndodhur që nga vitit i largët 1976.
Ai sqaroi se përveç kryetarit të fshatit që i ka vizituar, deri më sot Komisioni pranë komunës ende nuk ka qenë për të bërë vlerësimin e dëmeve.
Kryetari i Bashkësisë Lokale të Konçulit, Zylqefli Sherifi, gjithashtu nënvizoi se banorët e këtij fshati janë të dëmtuar shumë nga vërshimet që ka bërë Morava.
“Dëmet janë të mëdha, shumë shpi kanë bodrumet e përmbytura nga uji, arat e mbjellura me grurë gjithashtu. Tërë mbrëmjen kemi punuar me banorët duke vendosur pengesa me thasë me rërë, mirëpo ishte e vështirë që të ndalohej ajo sasi e madhe e ujit që vinte”, theksoi Sherifi për Titullin.
Në redaksinë e mediumit tonë mbrëmë pas mesnate ishte raportuar se lumi Morava kishte marrë me vete edhe një veturë të tipit BMW.
Gazetari që sot doli në vendin e ngjarjes konfirmoi nga dëshmitarët se rreth orës 22h të së premtes, në parkingun privat afër vendkalimit kufitar me Kosovën, Konçul-Dheu i Bardhë, fuqia e madhe e ujit kishte gllabëruar veturën BMW me targa të Nishit.
Sipas dëshmitarëve, të pranishmit në atë moment janë munduar që me litar të tërheqin makinën, mirëpo ishte e pamundur të luftohej me fuqinë e ujit. Deri në këto momente vetura BMW nuk është gjetur.
Në këtë vend ku dikur qëndronte parkingu, tani nuk ka mbetur asgjë, derisa në një kënd shihet edhe një veturë e tipit Renault që ka shpëtuar nga përmbytja.
Stuhia e shiut që të premten përfshiu rajonet e ndryshme të Luginës, shkaktoi dëme të mëdha në prona priva e infrastrukturë, ndërsa më të theksuara ishin në rajonin e fshatrave të komunës së Bujanocit.
Ura e cila gjatë ditës së djeshme u dëmtua në fshatin Breznicë që lidh ate me Kosovën, raportohet nga qytetarët se përkohësisht është sanuar dëmi sa për t’i mundësuar banorëve një lëvizje, por me kujdes të shtuar./Titulli.com/