Ambasadori Hill në Beograd : Kur Borrelli është i pakënaqur, SHBA-ja është edhe më e pakënaqur
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, e komentoi takimin e djeshëm të nivelit të lartë në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Ai tha se kur shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell është i pakënaqur me rezultatet, ShBA-ja është edhe më e pakënaqur.
“Ata bënë shumë përpjekje dhe mendoj se ShBA-ja shprehu një qëndrim mjaft parimor se ne do ta mbështesim zotin Borrell. Nëse ai është i kënaqur, ne do të jemi; nëse ai nuk është i kënaqur, ne do të jemi shumë të pakënaqur”, tha ambasadori amerikan për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.
Negociatat e djeshme, ai i cilësoi si “vërtet të vështira”, por shtoi se Serbia i kishte bërë detyrat e shtëpisë dhe ishte përgatitur mirë.
Hill thekson se njerëzit duhet të kuptojnë se në kuadër të dialogut të Brukselit janë në fakt dy grupe negociatash – negociatat ndërmjet palës së Beogradit dhe BE-së dhe palës së Prishtinës dhe BE-së.
“Unë nuk kam marrë pjesë në negociata, nuk ka pasur as amerikanë atje. Por sigurisht në bazë të asaj që kam lexuar, z.Borrell tha se pala serbe erdhi mirë e përgatitur dhe në thelb u pajtua me atë që propozoi Bashkimi Evropian”, tha diplomati amerikan.
Ai shtoi se, me sa e kuptonte ai, Bashkimi Evropian u përpoq të propozonte një lloj formule kompromisi.
“Me sa kuptoj unë, në bazë të asaj që tha z.Borrell, ata po përpiqen të vendosin një plan për sekuencën e ngjarjeve. Çështja e Asociacionit të Komunave (me Shumicë, shën.red.) Serbe, çështja e një hapësire më të madhe të Kosovës për ndërkombëtarizim, po mundohen të punojnë për vendosjen e rendit të këtyre elementeve. Pra, ne duhet të shohim se si funksionon e gjithë kjo”, përfundoi Hill.