Lokale
Abetarja në Luginë, frikë apo politikë ?
Më tre shtator fillon mësimi në të gjitha shkollat e Serbisë, ndërsa në Luginë këto ditë temë diskutimi është se cila Abetare do të përdoret ?
Komunat Preshevës dhe Bujanocit kanë shpërndarë Abetaret e reja të aprovuar nga dy Qeveritë e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, ndërsa në anën tjetër Këshilli Kombëtar Shqiptar insiston që më tre shtator të hyjë në përdorim Abetarja që ky Këshill e ka miratuar dhe që është e ligjshme në shtetin e Serbisë.
Fatmir Hasani drejtorë i shkollës fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc për Titullin është shprehur se kjo shkollë vitin e kaluar ka punuar me Abetaren e KKSH-së, ndërsa për këtë vit thotë:
“Kërkesa është bërë për të punuar me Abetaren të cilën e ka shpërndarë komuna e njëjtë me atë që mësohet në Shqipëri dhe Kosovë, por nëse nuk lejohet nga Ministria do të vazhdojmë me atë Abetare që kemi punuar vitin që lamë pas”.
Shkolla fillore “Sami Frashëri” në Lluçan është në dyshim se me cilën Abetare të punojë, të “komunës” apo “KKSH-së”.
“Ende nuk kemi vendosur se cilën Abetare ta përdorim, mirëpo një opsion mund të jetë edhe zgjedhja e nxënësve”, tha drejtori i këtij institucioni arsimor Fehmi Isufi, duke shtuar se ditëve në vazhdim do të dihet më saktë.
“Frikë” nga Abetarja mbarëkombëtare ka edhe shkolla fillore “Ali Bektashi” në Nesalcë. Mësuesit e kësaj shkolle frikohen prej largimit nga puna nëse përdoret Abetarja e Shqipërisë dhe Kosovës, pasi që sipas tyre ende nuk ka marrë të drejtën nga Ministria e Arsimit e Serbisë.
“Unë kam porositur të dy Abetaret, atë që është e lejuar nga Ministria, ndërsa alternative është edhe kjo tjetra deri sa ta marrim lejen e Ministrisë”, u shpreh për Titullin, drejtori Daljan Salihu.
Ai shpjegoi se nuk mund të mbajë përgjegjësi për Abetaren e palicencuar.
“I kamë thënë edhe arsimtarëve se në literaturë nuk guxon të shënohet Abetarja mbarëkombëtare pasi do të përgjigjet arsimtari si dhe drejtori”, shtoi Salihu.
Për këto dyshime të shkollave fillore të Bujanocit ka folur edhe njeriu i cili bëri shpërndarjen e Abetares mbarëkombëtare, shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës, Arbër Pajaziti.
Në pyetjen e gazetarit të Titullit se kush garanton për mos përjashtim nga puna të mësuesve që përdorin këtë Abetare, Pajaziti tha:
“Nëse kanë problem me inspektorë arsimor adresa që duhet të drejtohen është zyra e kryetarit të komunës së Bujanocit”.
Ai po ashtu theksoi se kjo nuk është hera e parë që në Luginë përdoret një Abetare pa pëlqimin e Ministrisë së Arsimit të Serbisë, një gjë e tillë ka ndodhë edhe gjatë vitit 2007.
“Kjo Abetare mbarëkombëtare nuk ka erdhi malit sikur kohëve të shkuara, por ky libër shumë i rëndësishëm, në shkollat e Luginës ka ardhë përmes kufirit në Konçul”, tha Pajaziti.
Më “trima” si duket janë drejtuesit e shkollave fillore në komunën e Preshevës.
Drejtori i shkollës tetë vjeçare “Zenel Hajdini” në Raincë, Shukri Ymeri, i tha Titullit se shkolla e tij, dhe të gjithë të tjerat në këtë komunë do të përdorin Abetaren mbarëkombëtare.
“Shkolla jonë është furnizuar me Abetaren mbarëkombëtare dhe të hënën ato do ti dorëzohen nxënësve të cilët këtë vit do të mësojnë me këtë libër”, tha Ymeri.
Në Abetaren e KKSH-së të lejuar nga Beogradi, nxënësve shqiptarë të Luginës së Preshevës iu është mohuar e drejta që flamuri kombëtar të figurojë, madje, edhe në brendi të saj.
Qeveria serbe ka kërkuar që ky libër të hiqet nga përdorimi, pikërisht për shkak se në faqen ku mësohet shkronja F, figuron flamuri kombëtar shqiptar dhe kjo është pranuar.
Qeveria e Shqipërisë në datën 14 shtator i ka dërguar si "dhuratë" në Luginën e Preshevës një mijë copë Abetare, të punuara me "standardet" e kërkuara nga qeveria e Serbisë, pra duke hequr flamurin dhe simbolet tjera kombëtare nga brendia e saj.
Paraprakisht, kësaj i ka prirë një dakordim nga vetë Ambasada e Shqipërisë në Beograd. Ambasadori, Shpëtim Çaushi, me një letër drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës të Serbisë, kishte përcjellë pëlqimin për ta ndërruar, respektivisht për ta shkombëtarizuar Abetaren për nxënësit shqiptarë të Luginës.
Veç flamurit, nga Abetarja që iu dedikohet nxënësve shqiptarë të Luginës, Shkodra është zëvendësuar me Nishin dhe shumë toponime e emërtime shqiptare, janë zëvendësuar me ato serbe.
Konkretisht nxënësit shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kur të mësojnë shkronjën SH, do të mësojnë se "qyteti i NISHIT është qytet i bukur", ku në origjinal është "SHKODRA është qytet i bukur".
Për të gjitha këto, ka qenë dakordimi dhe pëlqimi paraprak skandaloz i shtetit dhe i diplomacisë së Shqipërisë.
Ndërsa, Abetarja e shpërndarë nga pushteti lokal në Preshevë dhe Bujanoc për këtë vit shkollor, është origjinale me atë që përdoret në Shqipëri dhe Kosovë dhe përmban simbolet kombëtare./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!