Zyra për të rinj në Bujanoc aktive edhe ndaj refugjatëve (foto)
Deri në muajin shtator të këtij viti, stacioni i autobusëve në Bujanoc dhe hapësira përreth stacionit tek ndërtesat e kuqe ishte gjithnjë e mbushur me refugjatë nga Lindja e mesme.Derisa refugjatët pritnin autobusin nga Bujanoci për Beograd e Suboticë, për të vazhduar më tej drejtë shteteve të Evropës perëndimore, ata u ndihmuan nga organizata të ndryshme, e njëra prej tyre ishte edhe Zyra për të rinj pranë komunës së Bujanocit.
“Ne kemi ndihmuar refugjatët me gjëra ushqimore dhe veshmbathje, që vullnetarët e zyrës sonë i kanë siguruar nëpër institucione të ndryshme, xhamia, organizata joqeveritare, kompani private por edhe nga qytetarët” , thotë Vjollca Aliu, koordinatore e Zyrës për të rinj në Bujanoc.
Aliu shprehet se kanë pasur një bashkëpunim mjaftë të mirë edhe me OSBE-në, të cilët i kanë dal në ndihmë në distribuimin e veshmbathjeve, ndërsa thekson se nga ambasada amerikane në Beograd kanë marrë një mirënjohje për ndihmën që i kanë ofruar refugjatëve.
“Rreth 100 vullnetarë të zyrës sonë janë angazhuar në këto aktivitete, duke i shpërndarë ndihmat tek stacioni i autobusëve. Ata gjithashtu janë njohës të gjuhës angleze dhe i kanë ofruar refugjatëve edhe ndihma tjera, në mënyrë që ata të kenë sa më të lehtë qëndrimin e përkohshëm në Bujanoc”, thekson Aliu.
Sipas fjalëve të saj, këto aktivitete kanë zgjatur rreth dy muaj, ndërsa ushqimin dhe veshmbathjet që i kanë mbetur kanë vazhduar të shpërndajnë në Preshevë.
Vlen të theksohet se pas rritjes së kapaciteteve të stafit për regjistrimin e refugjatëve në Qendrën e pranimit në Preshevë, në Bujanoc tanimë nuk vijnë refugjatët, pasi të gjithë regjistrohen në Preshevë dhe me autobusë vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejtë Evropës perëndimore./Titulli.com/