Zgjedhjet parlamentare, pjesëmarrja e Luginës dhe Bashkimi Evropian (video)
Partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës, pritet që gjatë javës të marrin qëndrim, për apo kundër, pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të 24 prillit.Ndërkohë hezitimin e tyre, përfaqësuesit e shoqërisë civile e shohin si papërgjegjësi, kur sipas tyre dihet se gjatë këtij mandati, për integrim të Serbisë në Bashkimin Europian, do të hapen kapitujt 23 dhe 24 të cilët kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave.
Gazetari Jeton Ismaili, vlerëson se pjesëmarrja në zgjedhjet e 24 prillit është e domosdoshme, kur kihet parasysh se gjatë këtij mandati Serbisë do t`i kërkohet llogari për të drejtat e pakicave si kusht për integrim në Bashkimin Europian.
Për Skender Saqipin, gazetar divergjencat ndërpartiake po pamundësojnë unifikimin rreth një platforme të përbashkët të spektrit politik shqiptarë. Sipas tij fajtor për dështimin në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve do të jetë drejtpërdrejt lidershipi i kësaj klase politike.
Ndërsa partitë shqiptare të Luginës, nuk kanë qëndrim të qartë për zgjedhjet parlamentare, Partia Republikane, subjekt që përfaqëson interesat e komuniteteve kombëtare e edhe të shqiptarëve në Serbi, tashmë ka filluar grumbullimin e firmave të nevojshme për pjesëmarrje në zgjedhje.
Zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Serbi, do të mbahen më 24 prill, pjesëmarrjen në zgjedhje lokale e kanë paralajmëruar shtatë parti shqiptare, ndërsa qëndrimi për zgjedhjet parlamentare pritet ët merret gjatë javës./Titulli.com/