Stankoviq: Shteti duhet të sigurojë vende të punës, nëse dëshiron që këtu të ketë "jetë" (Video)
Lokale

Stankoviq: Shteti duhet të sigurojë vende të punës, nëse dëshiron që këtu të ketë "jetë" (Video)

19.Jun.2015 01:41
0

Në një intervistë ekskluzive për portalin informativ Titulli.com, kryetari i Trupit Koordinues Zoran Stankoviq flet për situatën aktuale në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, duke e cilësuar atë si stabile.

Lidhur me bisedimet e ndërprera ndërmjet liderëve politik shqiptar të këtij rajoni dhe qeverisë serbe, kryetari i këtij organi qeveritar thotë se këto bisedime duhet vazhduar pa asnjë shtyrje.

Ndërsa, sa i përket mbështetjes së shtetit për këtë rajon, Stankoviq thotë se „nëse shteti dëshiron të ketë njerëz në këto hapisëra duhet t'i mundësojë banorëve para së gjithash mundësi materiale dhe të sjell investitorë, qofshin ata të huaj apo vendor“ 

Titulli: Çfarë mendoni për gjendjen aktuale në komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë dhe kërkesat e liderëve politik shqiptar drejtuar qeverisë së Republikës së Serbisë?

Zoran Stankoviq: Unë mendoj se gjendja në këtë rajon është stabile, që aktivitetet jetësore po zhvillohen sipas mundësive ekonomike që disponojnë këto tre komuna, e ajo që është më e rëndësishme nuk ka kurrfarë konflikti ndëretnik, që aktivitetet e përditshme që organizon vetadministrata lokale janë në funksion të qytetarëve të komunave ku jetojnë. Ajo që është e nevojshme, dhe që jemi ne duke punuar aktualisht, është vazhdimi i bisedimeve me liderët shqiptarë lidhur me shtatë pikat që i ka miratuar qeveria e R. Serbisë qysh në vitin 2013. Mendoj se shtyrja e mëtejshme e këtyre bisedimeve nuk çon askund, që kjo shtyerje ka ndodhur ashtu siç ka ndodhur dhe ka qenë e panevojshme. Deri më tani kemi mundur që të kemi pjesën më të madhe të çështjeve të zgjidhura, çështjet që liderët shqiptarë i kanë vendosur si probleme para qeverisë së Serbisë, dhe kjo është diçka që shpresoj që në periudhën e ardhshme të realizohet me pëlqim të dyanshëm.

Titulli: Kur pritni vazhdimin e këtyre bisedimeve?

Zoran Stankoviq: Ne tanimë kemi bisedime dhe aktivitete. Është fakt se nga fillimi i vitit në këtë rajon ka qëndruar nënkryetarja e qeverisë, kanë qëndruar edhe katër ministra, pra gjithsej pesë ministra të qeverisë së R. Serbisë, të cilët kanë pasur takime me përfaqësuesit e pushtetit lokal, me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), me deputetët e Kuvendit të Serbisë, dhe me këtë rast janë marrë vesh për disa aktivitete që aktualisht janë duke u zhvilluar, dhe kjo është diçka pozitive. Unë shpresoj që këto bisedime të vazhdojnë  sa më shpejtë dhe të realizohen pozitivisht duke marr parasysh se këtë e presim jo vetëm ne por edhe liderët shqiptarë të kësaj pjesë të vendit tonë. Nga këto bisedime në muajin tetor presim në Bujanoc ndërtesën e re të fakultetit që do të mundësojë edhe hapjen e ndonjë fakulteti tjetër. Gjithashtu kemi siguruar edhe kudarot për maternitetin, të hënën do të kemi takim me sekretarin shtetëror të ministrisë së shëndetësisë, ku përveç drejtorit të shtëpisë së shëndetit, do të merr pjesë edhe kryetari i komunës, përfaqësuesit e Fondit republikan për sigurim shëndetësor dhe ky maternitet do të mund të fillojë të punojë. Poashtu tani fillon konkursi për bursat, për studentë që do të mund të marrin bursat e Trupit Koordinues (TK), njëkohësisht edhe bursat për nxënësit e shkollës së mesme.

Titulli: Njëra prej kërkesave kryesore të shqiptarëve është integrimi i plotë në organet shtetërore. Si po shkon ky proces, duke marr parasysh se në disa institucione siç është kadastri nuk kemi ende asnjë shqiptar?

Zoran Stankoviq: Të them sinqerisht ne kemi pritur që këto bisedime të sjellin rezultate pozitive dhe pas përfundimit të bisedimeve ndërmjet qeverisë së Serbisë, liderëve shqiptarë dhe bashkësisë ndërkombëtare, që do të zgjidhen të gjitha çështjet që ishin para qeverisë, si edhe integrimi i shqiptarëve në institucione shtetërore. Edhe pse në përiudhën e kaluar ka pasur aktivitete dhe rezultate të mira në këtë drejtim, ne në këto dy vite, dy vite e gjysmë, kemi pasur rekonstruimin e qeverisë, më pas zgjedhjet, kështu që kemi humbur gati një vit derisa u zgjodh qeveria, pastaj deri u formuan ministritë. Derisa duhej të vazhdonin bisedimet, kemi humbur shumë kohë e kjo ka rezultuar me faktin se nuk kemi arritur në gjithë atë që e kemi premtuar, e kjo është që të bëhet integrimi i plotë i shqiptarëve në institucione shtetërore. Kjo nënkupton atë që edhe më herët shteti i Serbisë ka premtuar që do të bëjë, e kjo do të thotë që në të ardhmen të kemi numër sa më të madh të shqiptarëve të integruar në institucione shtetërore, të kemi numër më të madh të njerëzve të punësuar, të kemi mirëbesim më të lartë të ndërsjellë, sepse kur punojmë bashkë atëherë mund që të arrijmë shumë më tepër. Unë shpresoj që periudha që është para nesh do të jetë periudhë ku do të duhet patjetër të arrijmë rezultate më të mira. Nëse këtë nuk e arrijmë deri në fund të vitit atëherë këtu qëndron përgjegjësia edhe e imja edhe e njerëzve me të cilët kam biseduar, që janë gjithashtu përgjegjës për realizimin e kësaj për të cilën më pyetët. 

Titulli: Si duhet të shpejtohet integrimi i shqiptarëve?

Zoran Stankoviq: Duhet të shpejtohet me biseda të përhershme, me takime konstante ku do të zgjidheshin çështjet konkrete dhe zhvillimi i mirëbesimit të ndërsjellë. Kjo është parë më së miri kur erdhi deri tek konflikti në Kumanovë. Unë i thira liderët lokal pa përjashtim dhe të gjithë treguan aktivitet të plotë, veçanërisht kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, i cili menjëherë ftoi Shtabin për stituata të jashtëzakonshme, ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e TK-së, që kontriboi që njerëzit që kaluan nga territori i Maqedonisë në territorin e komunës së Preshevës të akomodohen, që mos të kenë asnjë vështirësi, dhe pasi përfundoi e gjitha në Maqedoni ata u kthyen në shtëpi. Ne ishim të gatshëm që pranojmë numër edhe më të lartë, për këtë arsye erdhën përfaqësuesit e komesariatit për refugjatë, të ministrisë për punë e politikë sociale, të kryqit të kuq, policisë kufitare, trupit koordinues. Janë ndarë disa pako, dhe kjo tregoi se në rrethana të atilla një aktivitet i përbashkët mund të rezultojë me rezultate të këtilla siç është kujdesi për njerëzit për të cilët ndihma në ato momente ishte mëse e nevojshme.

Titulli: Përveç me komunat, trupi Koordinues ka pasur një bashkëpunim të mirë me përbërjen e kaluar të KKSH-së. Sot çfarë bashkëpunimi keni dhe cilat janë prioritetet e KKSH-së që iu janë propozuar qeverisë?

Zoran Stankoviq: Ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë kur në krye të KKSH-së ishte Galip Beqiri, e ky bashkëpunim vazhdoi edhe kur erdhi Jonuz Musliu. Është fakt se ka shumë çështje të hapura që duhen zgjidhur dhe që kanë ardhur nga të drejtat e shqiptarëve në R. Serbisë. Kjo para së gjithash vlen për arsimin, për sigurimin e teksteve shkollore, që për fat të keq, nuk janë në numrin e nevojshëm. Kjo vlen edhe për aktivitetet tjera që janë pjesë e punës së KKSH-së. Ne në këtë periudhë kemi pasur biseda të caktuara me kryetarin e ri të KKSH-së. Në të ardhmen është caktuar një takim ku do të bisedohet detajisht për të gjitha çështjet, sidomos kur janë në pyetje arsimi, institucionet që kultivojnë kulturën shqiptare, siç janë shoqëritë kulturore artistike.

Një vizitë që kemi bërë shkollave fillore e të mesme, dhe institucioneve e organizatave ku shqiptarët punojnë tregon se ekziston një numër shumë i madh i fëmijëve të talentuar, jo vetëm në fushën e kulturës por edhe në fushat si matematika, fizika.

Titulli: A e keni mbështetjen e ministrive përgjegjëse për zgjidhjen e problemeve në jug të Serbisë?

Zoran Stankoviq: Mbështetja vjen nga ajo se këtu ka njerëz që jetojnë, ka pakica etnike, si shqiptarët që kërkojnë që të respektohen konventat ndërkombëtare që shteti i Serbisë i ka pranuar dhe miratuar dhe nga kjo rrjedhin obligimet. Ne jemi këtu si koordinatorë, vetë emri donë të thotë se TK nuk ka rolin e ekzekutivit, nuk ka rolin e vendosjes por të koordinimit ndërmjet pushteteve lokale dhe ministrive. Në këtë periudhë ne jemi përpiqur dhe kemi sjell një numër të madh të ministrave që kanë qëndruar në këto hapësira. Në takimin e ministrit Sertiq me afaristët e komunës së Bujanocit, ku ishin rreth 90 prej tyre, ministri i ka premtuar gjëra të caktuara dhe këtë duhet ta realizojë, ta ekzekutojë. Kur ishim në Preshevë ministrja e bujqësisë bisedoi me rreth 50 – 60 bujq dhe këtë duhet ta ekzekutojë. Pra, nëse kemi vetëm vizita e nuk kemi realizim atëherë diçka nuk është në rregull. Ne mundohemi që kur të vijnë ministrat t'i njoftojmë me situatën e përgjithshme para se ata të vijnë këtu, sepse është e saktë që një numër i madh i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës nuk punojnë, një numër i madh i kompanive janë joaktive, që nuk ka perspektivë, është e saktë që për këtë arsye një numër i madh i njerëzve dëshirojnë të largohen nga këto troje. Nëse shteti dëshiron të qëndrojë dhe të ketë banorë në këtë rajon, atëherë duhet që të sigurojë, para së gjithash, mundësi materiale, investitorë të huaj apo vendorë, ose investitorë të këtij rajoni, që të punësohen numër sa më i madh i njerëzve, e kur keni njerëz të punësuar atëherë ata janë kthyer në drejtim të çështjeve që do të thonë “jetë”. /Titulli.com/

VIDEO

 
 
 
 
 
 
Shkrime dhe udhëpërshkrime të vjetra për Preshevën
Lluçani me fushë të asfaltuar futbolli (Foto)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration