Shkrime dhe udhëpërshkrime të vjetra për Preshevën
Lokale

Shkrime dhe udhëpërshkrime të vjetra për Preshevën

18.Jun.2015 22:27
0
Lugina e Preshevës shtrihet përgjatë lumit Moravë, në jug të saj dhe te Çukarka e Preshevës bashkohet me lumin Vardar, e njohur si Lugina e Shkupit, këtu është edhe UJËNDARËSJA e madhe, e cila në jug shkon lumi Vardar për në Detin Egje, ndërsa tjetra Morava për në perëndim, për Detin e Zi.

Këto dy lugina janë më të rëndësishme në Siujdhesën Ballkanike dhe zënë vendin qendror në Ballkan. Sipas Jovan Cvijiqit, gjeografit serb këto dy lugina paraqesin pjesën më gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan. Poashtu edhe Leopold Mandli e quan “Zemër  e Ballkanit”, sipas preshevarit patriot Ibrahim Kelmendi. Andaj edhe rëndësia e madhe e tyre për ta zotëruar këtë  Luginë nga pushtues të ndryshëm dhe për ta pasur në mbikqyrje Luginën e Preshevës.

Në pjesën qendrore të Luginës shtrihet Presheva me 264 km2 dhe me 36 vendbanime, kryesisht shqiptare : Bërçec, Bugarinë, Buhiç, Bukoc, Bukuroc, Bushtran, Cakanoc, Caravajkë, Corroticë, Çukarkë, Depcë, Gare, Gerajt, Golemidolli, Gosponicë,Ilincë, Kurbali, Lanik, Maxhere, Miratoc, Norçë, Peçenë, Preshevë, Rahovicë, Raincë, Ranatoc, Relan, Sefer, Sllavujevc, Stacioni Halurudhor, Stanec, Strezoc, Shoshajë e Poshtme, Shoshajë e Epërme, Tërrnavë dhe Zhunicë. Ajo, pra në perëndim përfshinë fshatrat e Karadakut, në lindje fshatrat e Rujanit, ndërsa në mes fshatrat e fushës.

Nëpër Preshevë kalojnë : Autostrada  Beograd-Nish-Vranjë-Preshevë-Shkup-Selanik, Hekurudha  Beograd-Shkup-Selanik, ndërsa vija e  lumenjve Danub-Moravë-Vardar ishte interesim i shumë shteteve për ta bërë kanalin e lundrimit nëpër këto  lumenj, i cili do të lidhte shumë shtete e kontinente. 

Pozita e volitshme gjeografike, kushtet e favorshme klimatike, hidrografike,  kushtet e përshtatshme natyrore kanë bërë që Presheva të banohet nga periudha e neolitit, vazhdon të banohet edhe gjatë periudhave të mëvonshme : të bronxit, të hekurit e deri në ditët e sotme.

Lugina e Moravës dhe ajo e Vardarit, kryesisht ishin të banuara nga fisi Ilir Dardan, pra Presheva shtrihej në pjesën qendrore të Mbretërisë Dardane dhe ishte e banuar nga fisi ilir  Dardan, paraardhësit e shqiptarëve të sotëm. Këtë e dëshmojnë të dhënat arkeologjike, antropologjike, kulturo-historike, gjuhësore, etnologjike, e të tjera. 

Udhëpërshkrime të vjetra për Preshevën 

Duke hulumtuar shkrimet e vjetra për Preshevën, në librin e austriakut Fr. Miklosich : Monumenta Serbica, të botuar në Graz, më 1964, zbulova një dokument të vjetër, në të cilin përmendet Presheva, Rahovica /Arhilevica/, fshat në veri të Preshevës, Ostrovica, mali më i lartë në Preshevë, pastaj fshati Arbanas, në jug të Preshevës, gjegjësisht në mes të Preshevës dhe Kumanovës.

Dokumenti është i vitit 1349 : CXXV.(1349) 6857. ind.X. Skopije, ndërsa në fjalinë  e parë të dokumentit shkruan : Stephanus, Serborum et Graecorum imperator, quasdam terras donat S. Mariae in Arhiljevica.

Në këtë kohë, car Dushani, pasi ushtria serbe nën komandën e babës së tij i pat mundur bullgarët, në mes të vitit 1335 dhe të vitit 1346, me ushtrinë e tij kaloi nëpër Shqipni dhe Maqedoni dhe mbërriti deri në Thesali. Në Shkup, më 1346, ai u shpall perandor i Grekëve dhe Serbëve, Bullgarëve dhe Shqiptarëve.

Lugina e Preshevës që nga beteja e Maricës, më 1371 deri më Betejën e Kosovës, më 1389 ishte arenë e përleshjeve të shumta të ushtrisë serbe dhe asaj turke. Kështu, car Lazari me ushtrinë e krishterë, ku bënin pjesë edhe banorët shqiptarë ortodoksë të Preshevës, ushtrinë turke nuk e priti në Kosovë, por në rajonin në mes të Moravicës dhe Lumit të Madh.

Bile, sipas historianit serb Stojan Novakoviqit në Moravicë, te Presheva ndodhi një Betejë e Madhe ndërmjet ushtrise së krishterë dhe asaj të Perandorisë turke, e cila ishte uvertyrë e Betejës së Kosovës. Mirëpo, si duket historiografia serbe këtë betejë nuk e publikoi dhe nuk e studioi sa duhet, sepse këtu humbi ushtria e krishterë dhe serbe. Pra, në këtë kohë, ushtria e Perandorisë turke e sulltan Muratit i shtriu shatoret e veta në Bregoren e Çukarkës, rrënzë kodrave të Miratocitdhe te Çadrat, kodë pëmbi ivadhin e Shehut në Preshevë. Sipas të gjitha gjasave ushtria turke e sulmoi ushtrinë serbe nëpërmjet Grykës së Konçulit, rruga e sotme Bujanoc-Gjilan, rrugës së sotme Preshevë-Gjilan dhe rrugës së sotme Kumanovë-Zhegër-Gjilan.

Kazaja e Preshevës, sipas studjuesit bullgar Vasil Kënçov(Izabrani proizvedenia, Makedonia, Etnografia i Statistika, Sofia, 1970), u themelua me Marrëveshjen e Kongresit të Berlinit, atëherë kur Vranja mbeti me Serbi.

Sipas Salnames së Vilajetit të vitit 1311, Kazaja e Preshevës kishte 15.932 muhamedanë(8168 burra dhe 7770 gra) dhe 26.047 bullgarë(13.868 burra dhe 12.179 gra). Në këtë statistikë janë të shënuar më pak fshatra muhamedane-arnaute/shqiptare/ se sa zyrtarisht ato janë. Sidomos nuk janë të shënuara vendbanime të Malësisë së Karadakut, sepse vështirë depërtohej dhe vështirë shënoheshin ato.

Sipas Kënçovit ekzistonin 96 vendbanime me popullatë bullgare, greke dhe arnaute/shqiptare/. Fillon nga Preshova / Presheva /, duke i përmend të gjitha vendbanimet e Kazasë deri te Shoshaja. Në cekjen e vendbanimeve, ai shënon edhe grekët,  të cilët kur i jep shënimet  e përgjithshme statistikore mbi Kazanë e Preshevës nuk i përmend.

Edhe një konstantim, atëherë dhe për atë kohë jo vëtëm studjuesi bullgar Vasil Kënçov, po edhe shumë studjues të tjerë aspak nuk cekin popullatën serbe në Kazanë e Preshevës. Mirëpo, është e njohur se Kazaja e Preshevës përbëhëj edhe nga 2 nahi : ajo e Bujanocit dhe ajo e Tërgovishtës, e cila kishte popullatë serbe.  

Në Enciklopedinë Popullore, të botuar në Zagreb, më vitin 1928, V. S. Radovanoviq shkruan :

Presheva, qytezë në Serbinë Jugore, në pjesën veriore të Luginës së madhe Preshevë-Kumanovë, në skaj të fushës së Preshevës, nën anën lindore të Karadakut të Shkupit.

Presheva ka 656 shtëpi me 3.214 banorë(1921).

Presheva për herë të parë përmendet si zhupë/famulli/ në vitin 1381, atëherë kur dhespotja Evdokija me të birin Konstantinin ia dhuroi manastirit të Hilandarit.

Në mesjetë dhe më vonë nëpër Preshevë kalonte edhe Udha e Kosovës, e cila prej Moravës së Epërme kalonte nëpër Karadak dhe lëshohej në fushën e Preshevës dhe më tutje shkonte në lindje. Këndej pari, më 1530 kaloi suita e amabasadës hungareze në rrugë për në Carigrad. Atëherë për Preshevën u shkrua si për një kështjellë të bukur. Mbeturinat e kësaj kështjelle gjenden në Gërmadhë, përmbi Preshevën, në të dalë të Geranës nga Gryka.

Deri parafundimit të periudhës së sundimit turk, Presheva ishte fshat. Ajo filloi të zhvillohet si qytezë prej vitit 1878, kur Vranja iu bashkangjitë Serbisë, atëherë Presheva u bë qendër e Kazasë, me seli të kajmekamit dhe të kadisë.

Në këtë kohë, Presheva kishte 250 shtëpi arnaute dhe më vonë erdhën edhe 250 shtëpi muhaxhirë nga Vranja. Presheva më shumë u zhvillua që nga viti 1888, pasi u ndërtua Stacioni Hekurudhor, në hekurudhën kryesore Moravë-Vardar /3 km larg Preshevës/.

 Më 1900, Presheva kishte rreth 2.000 banorë Arnautë. Në fund të sundimit turk, ajo kishte 640 shtëpi dhe rreth 30 dyqane /1912/, ndërsa në vitin 1913 kishte 2.991 banorë.

Presheva kishte edhe popullatë krishtere, kryesisht zejtarë dhe kolonistë agrarë.

Presheva është shumë e gjallë, sidomos të shtunave, kur është ditë pazari për  gjithë rrethin e Preshevës. Konsiderohet si vend i shëndethsëm, më një freski mali. Këtu vijnë të shërohen të sëmurit nga Shkupi.

Nëpër Luginën e Preshevës dhe Kumanovës,  më 1888 u ndërtua hekurudha Beograd-Selanik, ndërsa sipas projekteve të ekspertëve amerikanë mund të lidhet Morava dhe Vardari, e me këtë të mundësohet lundrimi : Deti i Veriut-Rajna-Danubi-Deti Egje.

Në vitin 1530, mbreti Ferdinand  i Austrisë, Çekisë dhe Hungarisë dërgoi në Carigrad një diplomaci  sulltan Sylejmanit, për të vuar paqë apo armëpushim. Kjo diplomaci numronte 37 persona, pos të tjerëve si përkthyes i gjuhës latine, këtij grupi iu bashkangjitë edhe Benedikt Kuripeshiqi. Grupi u nis nga Lublana, më 22 gusht 1530 dhe në Carigrad arriti më 17 tetor të njëjtit vit. Nga Carigradi, grupi u nis më 22 dhjetor 1530 dhe në Lublanë arriti më 9 shkurt 1531.

Grupi udhëtoi nëpër Kroaci, Bosnje, Serbi, Bullgari dhe Rumeli. Udhëtimin e grupit e përshkroi Benedikt Kuripeshiëi në librin e tij : Udhëpërshkrimi nëpër Bosnje, Serbi, Bullgari dhe Rumeli 1530.

Grupi në të këthyer nga Carigradi, kaloi edhe nëpër Preshevë për në Kosovë. Kuripeshiqi mbajti ditar të hollësishëm për udhëtimin dhe në librin e lartëpërmendur  kështu e përshkruan Preshevën :

Të mërkurën, më 11 janar 1530 u nisën nga Stracina/vend në Bullgari-autori/, duke udhëtuar shumë gjatë kaluam disa fshatra dhe arritëm në Preshevë /Frastheuo/, ku dikur ishte një qytet i bukur dhe aty fjetëm.

Të enjtën, më 12 janar u nisëm nga Presheva nëpër malet e larta të Malit të Zi /Jeruagara/ dhe arritëm në fushën e Moravës, pastaj në Livoç /Linatz/ dhe Poneshin e Epërm ku edhe fjetëm.

 Gjermani Spiridon Gopçeviq udhëtoi më 1888, me tren, nëpër hekurudhën Vranjë-Shkup për në Selanik, atëherë edhe përfundoi ndërtimi i hekurudhës. Ai udhëtimin e përmnedur e përshkroi në librin e tij : Serbia e Vjetër dhe Makedonia(Udhëtimi nëpër Serbinë e Vjetër) më 1890, botuar në Beograd.

Kështu e përshkruan udhëtimin edhe nëpër Preshevë : 

Hekurudha Vranjë-Shkup është e hapur sikur që është e njohur në pranverë të vitit 1888.

Nëpër viset që kalon hekurudha prej kufirit turk deri në Shkup nuk janë aq tërheqës. Udhëtari, sëpari kalon nëpër luginën e lumit Binaç, i cili në jug përkufizohet me malin Rujan(970m), ndërsa në veri me malin Kosharnik(950m), Pastaj hekurudha vazhdon në jug, lë pas në lindje malin Rujan, ndërsa në perëndim Karadakun dhe më pastaj kalon nëpër luginën e Moravës dhe Banjkës. Mali Rujan nuk është i lartë, por Karadaku ngritet deri në 1.593 m. Karadaku është i dendur dhe nëse shikohet  nga hekurudha duket shumë i gjallë dhe i bujshëm. Majet në veri janë më të ulta(1011), ndërsa në jug janë më të larta(1.552 e 1.535 m).

Gjatë udhëtimit u takova me Arbanas, Turqë e Serbë, me të cilët bisedova gjatë për këto vise. Të parin që e pyeta ishte nga Bilaçi dhe në mesin e Arbanasve, nuk ishte Arbanas, por e flitte gjuhën shqipe. Atëherë nuk është për t’u çuditur kur udhëpërshkruesi Han thotë dhe shkruan se në fshatin Bilaç jetonin „bullgarë“ dhe „arbanas“.

Lugina nëpër të cilën kalon hekurudha Vranjë-Shkup është shumë e gjërë. Ajo i afrohet malit në lindje deri në Tabanoc, ndërsa në perëndim mbetet larg Karadakut. Pra  ditën, pamja e malit është shumë tërheqëse. Si duket kjo fushë është shumë pjellore, por nuk punohet sa duhet. Një bashkëudhëtar më tregoi se këto vise janë të banuara me shqiptarë : Osllara, Shoshaja, Garja, Kurbalia, Gruhalia, Strazha, Llojani, Vaksinca, Belanoci, Sllupçani,Opaja, Llopati, Orizare dhe Preshova /kështu e quan Preshevën edhe Kuripeshiqi-autori/.

Në stacionin hekurudhor të Preshovës më ra në sy, se kishte më shumë binarë dhe binarë thyesë të hekurudhës. Si duket Porta e kishte zgjedhur stacionin e Preshovës për bazë në rast të luftës me Serbinë. Me ndihmën e kësaj hekurudhe do të mund Turqia te Preshova shpejt të mbledh ushtrinë kundër Serbisë.

Me njëherë pas Preshovës, hekurudha kalon nëpër Çukarkë, ku gjendet bifurkacioni i Detit të Zi dhe Detit Egje, edhepse këtë udhëtari nuk e vëren nga treni. Në veri  rrjedh Moravica kah Morava, në realitet kah Danubi ; në jug rrjedh Banjka kah Vardari në Detin Egje.

Banorët e Çukarkës vërtetojnë se në breg, që shihet në jug-perëndim të fshatit ishin shtruar shatorët e sulltan Muratit, kur shkoi për në Kosovë. Sipas udhëpërshkruesit Han, në Tabanoc jetojnë Arbanasit.

Gjermani J. v. Hahn në librin e tij : Reise von Belgrade nach Sallonik, më 1868/Udhëtimi prej Beogradit për në Selanik/, në  kapitullin VII shkruan : Udha prej Bilaçit për në Kumanovë :

Prej Bilaçit në drejtim të Kumanovës shtrihet fshati Pratoshelca /Pratoschelza/ me 15 shtëpi, i vetmi fshat bullgar, i pastër etnikisht.

Bushtrani me 30 shtëpi shqiptare shtrihet në lindje të Udhës, në një gji të Luginës së Moravicës.

Kryqëzimi i përroit të Leranit, i cili rrjedh në drejtim veriperëndimor të Moravicës. Lerani shtrihet i shpërndarë në të dy anët e Udhës. Burimi i përroit është prej aty në drejtim juglindor.

Zhunica shtrihet në rrafshinën e Luginës me 20 shtëpi shqiptare, përkundrejt përrockës së Rahovicës.

Golemidolli me 16 shtëpi arnautësh dhe 4 shtëpi bullgarësh.

Çukarka shtrihet, një pjesë e këtij fshati, majtas afër Udhës.

Miratoci në perëndim të luginës dhe nja gjysmë ore prej aty në të njëjtin drejtim Llojani, me një përrua që vie nga vëriperëndimi.

Në shpatin e përtejmë të lartësivë, të cilat kufizohen me luginën kah lindja shtrihen 3 fshatra shqiptare : Susheva, Mutulova dhe Bugarina.

Tabanoci me 40 shtëpi shqiptare, në katër periferi me 1 xhami, në të djathtë të Udhës ; majtas nga Udha, varri i themeluesit të xhamisë. Edhepsë, ky fshat i takon rrethinës së Kumanovës, prap konsiderohet si një fshat i rrethit të Moravicës. Ai ka një han të madh.

Udhëpërshkruesi Todor Stankoviq  në librin : Shënime udhëtimi nëpër Serbinë e Vjetër 1871-1898, të botuar në Beograd, më vitin 1910 shkruan :

d)Rruga nga Manastiri Prohor Pçinjski, nëpër Preshevë, Bujanoc dhe në kthim në Gjilan.

Me një Arnaut, i cili ruante Manastirin , u nisëm me kuaj për Preshevë, kaluam lumin Pçinja. Për ¾ e orës arritëm në katundin Starca, nga  shkuam në Sobrate. Nga ky katund dolëm në Bilaç, ku ekzistonte kazerma ushtarake turke me një batalion.

Nga Bilaçi arritëm në Bushtran, në të cilin kishte 55 shtëpi arnaute dhe 16 shtëpi serbe.

Në orën 10 e 20 minuta u nisën nga Bushtrani, nëpër katundin Zhuzhicë /Zhunicë-autori/ dhe për 1 orë e ¼ arritëm në Preshevë., ku u vendosëm në hanin e Rexhep-Agës.

Posa arritëm në Preshevë, na erdhi të na dëshirojë mirëseardhje, në emër të kajmekamit që mungonte, Mal mudir, (drejtori i financave Ahmed Lutfiu, efendija dhe sekretari policisë së Preshevës Mahmud efendija.

Duke kaluar nëpër Preshevë, ktheva në kancelarinë /zyrën/ e pushtetit të rrethit, t’ia kthejë vizitën nëpunësve të përmendur, ku e takova muhasebexhinë e Prishtinës- administratorin kryesor të financave-Ismail Raif efendinë, i cili kishte ardhur për pagesat e tatimeve dhe të ardhurave të tjera shtetërore. Dhe këtu një aradhë xhandarmerie më nderoi mirëseardhje. Nga këtu, në përcjellje të Mahmud efendisë, i cili ishte i lindur në Leskoc, shkuam të shikojmë qytezën, e cila ka çarshinë , dhe e cila për çudi ishte shumë e pastër. Lumi i cili kalonte përmes çarshisë, shumë ndihmon në mbajtjen e pastërtisë, sepse i gjithë plehu aty hudhej ndërsa uji e çon tutje.

Kur u ktheva në han, pagova harxhimet dhe u përgatita për nisje, por ndërkohë erdhën muhasebexhia dhe 2 nëpunës të më urojnë udhë të mbarë.

Presheva i ka 600 shtëpi, prej të cilave 570 janë Arnaute dhe rreth 30 shtëpi serbe. Serbët i shërbejnë Arnautët e pasur si çifçi dhe shërbëtor, duke ia punuar tokën për një rrogë të vogël apo për pak mall…

Rrethi i Preshevës ka 122 katunde me 42.248 banorë, prej të cilëve 26.920 Serbë dhe 15.328 Arnautë /në rrethin e Preshevës bënin pjësë edhe Nahia e Bujanocit dhe Tërgovishtës-autori/.

Nga Presheva u nisëm për në Rahovicë dhe arritëm te kisha e vjetër dhe e lënë pas dore, përmbi katundin, e cila kishte 2 palë dyer. Përmbi në mur, në derën e dytë shihen tragjet e mbishkrimit, të palexueshëm, shkronjat sëbashku më horasanin kishin ra. Nga kjo kishë u nisëm dhe dolëm në rrugën kryesore Vranjë-Kumanovë, ndër Bilaç. Nga këtu shkuam në Bujanoc.

Profesori Al. Stanojeviqi në librin e tij : Dy javë në Serbinë e Vjetër, Ditar i udhëtimit nga një ekskursion, Beograd, viti 1898, shkruan :

Më 18 korrik të vitit 1898 u nisa nga Beogradi për në Shkup, me tren.

Në stacionin e Zhbevcit  /Zibevc-afër Ristocit, në mes Preshevës e Bujanocit, autori/ na pritte treni turk, me të cilin do të udhëtonim për në Shkup... U larguam nga Serbia, në largësi në perëndim shihet Karadaku.

Te Presheva, në stacion hyn dy oficer zhandarmerie turqë. Bashkëudhëtari im dinte turqisht dhe filloi biseda në mes të tyre. Oficerët turqë zbritën në stacionin pas Preshevës.

Sa më tepër që largoheshim nga Zibevci, oficerët turqë thonin udhëtarëve se gjindeni në tokën, ku thika dhe martina kanë autoritet më shumë, se sa ligjet shtetërore dhe gjyqet.

Nga treni shihej qartë se kolonitë Arnaute janë në afërsi. Kështu fshatrat Arnaute i afrohen shumë hekurudhës ; disa fshatra gjenden në të majtë të hekurudhës.

Presheva, Tabanoci dhe të tjera janë koloni Arnaute të dëgjuara dhe të rrezikshme, edhepse në to sundon pushteti turk. Fshatrat janë të larmishme, shtëpitë me kulme të mbuluara  me dërrasa apo të thurrura si kolibe. Kështu arritëm në Kumanovë.

 

Prishtinë, më 17 maj 2015 
/Kumtesa u paraqit në Javën e Albanologjise, Sesioni Histori/

Shkruan: Xhemaledin Salihu

Mësimdhënësit e gjuhës serbe në Luginë, aftësohen profesionalisht (Foto)
Stankoviq: Shteti duhet të sigurojë vende të punës, nëse dëshiron që këtu të ketë "jetë" (Video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration