Shënohet 16 vjetori i daljes në skenë të UÇPMB-së
Në fshatin Dobrosin të komunës së Bujanocit sot është shënuar 16 vjetori i daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, njofton Titulli.com.Në këtë ngjarje përkujtimore të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) së ish – UÇPMB-së në Bujanoc, kanë marrë pjesë veteranë, familjarë të dëshmorëve, dhe qytetarë nga komuna e Bujanocit.
Me këtë rast të pranishmit përkujtuan dëshmorët e rënë me homazhe dhe kurora lulesh në varrezat e fshatit dhe tek vendi i rënies së vëllezërve Saqipi në hyrje të fshatit Dobrosin, si dhe në Lluçan tek vendi i rënies së Artan Abazit nga fshati Miratoc i komunës së Preshevës.
Në manifestimin e mbajtur në Dobrosin para të pranishmëve me fjalime rasti u paraqitën Sali Salihi, kryetar i OVL-së në Bujanoc, Halim Hasani, historian nga fshati Dobrosin dhe Arif Abazi, babai i dëshmorit Artan Abazi.
Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ishte paraqitur publikisht në skenë pikërisht para 16 viteve pas vrasjes së vëllezërve Isa dhe Shaip Saqipi nga fshati Dobrosin./Titulli.com/