Partia Republikane apelon për paqe e qetësi!
Kryesia e Partisë Republikane, të premten, në Beograd, priti përfaqësuesit e këtij subjekti politik nga Bujanoci, të kryesuar nga nënkryetari i saj Avdil Ramadani.Gjatë këtij takimi, me karakter pune, Avdil Ramadani, kryetari i Degës së Partisë Republikane për shqiptarët në Serbi, i cili njëherit është edhe nënkryetar i këtij subjekti politik, në nivel qendror, diskutoi për zhvillimet politike dhe ekonomike në rajonin e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës.
Ramadani e njoftoi për së afërmi, kryetarin Nikola Sanduloviqin, për aktivitetet e Partisë Republikane, në jug të vendit, duke u fokusuar në ngjarjet tragjike të Kumanovës dhe tensionet politike, që mund të po ngrihen pas këtij incidenti, në rajonet tona.
“Qëndrimi i Partisë Republikanë, në Serbi, është rruga paqësore e zgjidhjes së problemeve të qytetarëve, në favor të paqes, tolerancës, mirëkuptimit e bashkëjetesës. Incidentet dhe format e dhunës ekstreme nuk i kontribuojnë paqes në rajon, në rrugën e përparimit dhe proceseve integruese evropiane, tha kryetari Sandulloviq përcjellë kumtesa e këtij subjekti politik.
Ai, gjithashtu, ka thënë se “Incidentet e motivuara politikisht në kurriz të qytetarëve, nuk i zgjidhin problemet e grumbulluara me vite, por përkundrazi i komplikojnë ato. Me këto incidente më shumë ia zgjasin jetën varfërisë, korrupsionit, papunësisë, migrimit ilegal dhe kontrabandës”.
Shqiptarët në Serbi, përkatësisht në rajonin e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, janë autoktonë, të cilët me shekuj jetojnë në këto vise. Ata, duhet të ruhen nga provokimet e ndryshme, ngado që vijë ato, ngase problemet e tyre mund të zgjidhen me rrugë paqësore e institucionale.
Partia Republikane, gjithashtu, u bënë thirrje politikanëve dhe gazetarëve, që të kenë kujdes nga deklaratat e tyre propaganduese, në mënyrë që të mos krijohen tensione të panevojshme ndëretnike e ndërfetare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, komuna këto të cilat para 14 vjetësh kanë kaluar nëpër këto procese, pasojat e të cilave akoma po i vuajnë, njofton Partia Republikane, në kumtesën e saj, të nënshkruar nga Avdil Ramadani, kryetar. /Titulli.com/