Numri i shqiptarëve në Luginë, takim me Qeverinë në Beograd (Foto)
Në kryeqytetin e Serbisë është zhvilluar takimi i radhës në mes të përfaqësuesve shqiptarë nga Lugina e Preshevës dhe atyre të Qeverisë së Republikës së Serbisë, në prezencë edhe të faktorit ndërkombëtar.
Vlerësimi i numrit të popullsisë në Luginë të Preshevës ka sjellë në një tavolinë kryetarët e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, deputetët popullor si dhe përfaqësues të administratave lokale me ata të Qeverisë së Serbisë dhe ndërkombëtarët.
Në këtë takim me spektrin politik shqiptar, Qeveria e Serbisë është përfaqësuar nga zyrtarë të Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale, raporton Titulli.com.
Qëllimi i takimeve mes spektrit politik shqiptar dhe qeveritarëve në Beograd është gjetja e një modaliteti për vlerësimin e numrit të popullsisë shqiptare në rajonin e Luginës së Preshevës, të cilët në vitin 2011 kishin bojkotuar regjistrimin e popullsisë.
Palët kanë përafruar qëndrimet, ndërsa edhe matej kërkohet gjetja e mënyrës se si do të vlerësohet numri i popullatës pa kryer regjistrim si ai i vitit 2011.
Të pranishëm në takim nga ndërkombëtarët ishte ambasadori i Shteteve të Bashkura të Amerikës, Michael Kirby, diplomati i Britanisë së Madhe, Denis Keefe, ambasadori i OSBE-së në Beograd, Peter Burkhard si dhe përfaqësues nga BE.
Takimi i së premtes është vazhdimësi e takimit me delegacionin e bashkësisë ndërkombëtare i zhvilluar ditë më parë në Luginë. /Titulli.com/