Nga kufiri serb, Asambleja parlamentare e OSBE-së fton për më shumë veprim për krizën e migrantëve
Qytetarët dhe zyrtarët e Serbisë kanë bërë punë të shkëlqyeshme që vlen të respektohet, ka thënë Izabel Santos, kryesuese e Komitetit për demokraci dhe të drejta të njeriut pranë Asamblesë Parlamentare (AP) të OSBE-së.“Qytetarët dhe zyrtarët e Serbisë kanë bërë punë të shkëlqyeshme për t’u respektuar, duke përfshirë qëndrimin e tyre humanitar, zbatimin e regjistrit biometrik dhe përgatitjen e objekteve”, ka deklaruar Santos gjatë vizitës së qendrave të pranimit dhe regjistrimit të refugjatëve në Miratoc dhe Preshevë.
“Serbia, si edhe vendet tjera të shumta, duhet të jenë pjesë e përgjigjes së koordinuar evropiane. Kjo përgjigje duhet të bazohet në ndarjen e përgjegjësive, heqjen e rrethojave e mureve dhe kanaleve ilegale për migrim”, ka thënë Santos, thuhet në një komunikatë të AP të OSBE-së, raporton Titulli.com.
Anëtarët e Komitetit për demokraci, të drejta të njeriut dhe çështje humanitare të AP të OSBE-së kanë biseduar me refugjatët, me punëtorët humanitar, me zyrtarët e qendrave të pranimit të refugjatëve në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë, dhe me përfaqësuesit e organizatave të ndryshme humanitare, si UNHCR, IOM dhe Kryqi i Kuq.
Gjatë vizitës në Serbi delegacioni, në të cilin ishte edhe nënkryetarja e komitetit Ivana Dabesova nga Çekia dh përfaqësuesi special i AP të OSBE-së për çështje ndërkufitare, Ignacio Sançez, u pri edhe nga nënkryetarja e Kuvendit të Serbisë Gordana Çomiq.
Në këtë delegacion ishte edhe ish shefi i zyrës së OSBE-së në Bujanoc, Roberto Montella, i cili prej një janarit mban postin e sekretarit të përgjithshëm të AP të OSBE-së, me seli në Kopenhagë./Titulli.com/