Komuna e Bujanocit shpall konkurs për bursa studentore
Komisioni i Këshillit komunal të Bujanocit ka shpallur konkurs për ndarjen e ndihmës së njëhershme financiare për studentë në studime themelore dhe master nga territori i komunës së Bujanocit për vitin akademik 2015/2016, thuhet në konkursin e shpallur nga komuna e Bujanocit, njofton Titulli.com.Në këtë konkurs kanë të drejtë të aplikojnë studentët që për herë të parë kanë regjistruar vitin e studimeve apo masterin, kandidatët që nuk janë në marrëdhënie pune, ata duhet të jenë nën 27 vjeç.
Studentët e vitit të parë duhet të sjellin dëshminë mbi suksesin nga shkolla e mesme, ndërsa studentët e viteve tjera suksesin e viteve paraprake të studimeve, thuhet në konkurs.
Afati i fundit për paraqitje në konkurs është data 17 shkurt 2016, ndërsa fletëparaqitjet dorëzohen në ndërtesën e komunës së Bujanocit së bashku me dokumentacionin e kompletuar.
Dokumentet që duhet të paraqesin kandidatët janë letërnjoftimi i lexueshëm elektronik, fotokopja e letërnjoftimit të vjetër apo certifikata mbi vendbanimin, vërtetimi se studenti për herë të parë ka regjistruar vitin vijues të studimeve.
Studentët e vitit të parë duhet të sjellin vërtetimin mbi notën mesatare 4.50 – 5.00 nga shkolla e mesme, studentët tjerë certifikatën mbi notën mesatare nga vitet e mëparshme të studimeve, si dhe llogarinë bankare të studentit apo prindit. /Titulli.com/